Vuçiq “shpërthen” në Këshillin e Sigurimit kundër taksës dhe Ushtrisë

Vuçiq “shpërthen” në Këshillin e Sigurimit kundër taksës dhe Ushtrisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka shpërthyer në akuza të ashpra kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën dhe Ushtrinë.

“Kujt i plasi”, ishte njëra nga frazat e ashpra të presidentit serb në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.

Vuçiq “shpërtheu” në akuza sidomos kur foli për Ushtrinë e Kosovës. Tha se edhe vetë Kushtetuta e Kosovës e ndalon këtë vendim, transmeton Gazeta Insajderi.

“Nuk ka qenë vendim i NATO-s rezoluta 1244 por vendim i Këshillit të Sigurimit që ti jap kompetenca KFOR-it. Çfarë ndodhë, pastaj ata kanë shprehur dëshirën që ta formojnë Ushtrinë e vetë. Nga cili dokument mund të nxirret e drejta sovrane për të formuar Ushtrinë e vetë. Ku është e shkruar kjo? Nuk është as e shkruar në Kushtetutën e tyre, sepse aty thuhet që kërkohet 2/3 e deputetëve. Kujt i plasi për ligjin, faktet, kanë marrë vendim për formimin e Ushtrisë. Dhe papritmas marrin mbështetje të madhe nga vende të ndryshme perëndimore”, deklaroi Vuçiq.

I ashpër presidenti serb u pa edhe kur foli për taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Tha se rritja e taksës ka qenë vendim politik, që sipas tij e ka mbytur tregtinë e lirë ndërmjet dy shteteve.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është provokim, dhe ju jemi lutur që të mos shkojnë për votim në INTERPOL, UNESCO, e organe të tjera. Tarifa fillimisht ishte 10% por kur e panë që audienca reagoi për dështimin në INTERPOL, e rritën atë tarifë në 100%. Ata kanë mbytur çdo lloj tregtie mes Serbisë qendrore dhe Kosovës, dhe gjithashtu kanë vënë në rrezik një komunitet të tërë në Kosovë. A mund të imagjinoni dikë në shekullin 21 që ndalon dhe pengon rrjedhën e mallrave, që nuk iu ka pëlqyer vendimi politik nga ana e tjetër”, tha Vuçiq.

Ndryshe ai gjithashtu e akuzoi Kosovën edhe për mos-zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit. /Insajderi.com