Vuçiq thotë se zhvilloi një bisedë të shkëlqyeshme me kancelaren Merkel

Vuçiq thotë se zhvilloi një bisedë të shkëlqyeshme me kancelaren Merkel

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar rreth bisedës telefonike që zhvilloi sot me kancelaren gjermane, Angela Merkel, njofton Insajderi.

Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Vuçiq tha se biseda me kancelaren Merkel ka qenë “e shkëlqyeshme”.

“I jam falënderues kancelares gjermane për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe politik të Serbisë dhe mirëkuptimit të saj për pozicionin tonë të vështirë rajonal politik”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Vuçiq dhe Merkel biseduan në pauzë të Forumit të Bledit, i cili po mbahet me temën “Evropa pas Brexit-it dhe COVID-19”.

Përpara kësaj bisede, Vuçiq ka paralajmëruar se tema më e rëndësishme me kancelaren Merkel do të jetë Kosova dhe takimet e ardhshme midis Prishtinës dhe Beogradit në Uashington dhe Bruksel për dialogun mes këtyre dy palëve.

Në Bled, Vuçiq u takua me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Madje ky i fundit, ka publikuar një shkrim në llogarinë e tij në Twitter, ku tha se në takimin me Vuçiq ka “shprehur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për ta bërë dialogun Prishtinë-Beograd më dinamik”. /Insajderi.com