Vushtrria ende pa fitues të shpërblimit prej 5 mijë eurosh për raportim të korrupsionit

Vushtrria ende pa fitues të shpërblimit prej 5 mijë eurosh për raportim të korrupsionit

Secili qytetar i Vushtrrisë që e lajmëron keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe korrupsionin në këtë komunë, do të fitojë 5 mijë euro shpërblim.

Kështu kishte vendosur kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Por ai tha se ende nuk ka një raportues të korrupsionit që do të shpallej fitues i këtij çmimi.

“Ende nuk kemi pasur raportime dhe shpresoj shumë që në komunën e Vushtrrisë të mos ketë korrupsion, por nëse do të ketë, kushdo që arrin të vërtetojë do ta marrë shpërblimin e merituar”, tha Tahiri për emisionin “Sytë 7” në Klan Kosova.

Tahiri tregoi se edhe nga i erdhi ideja për një çmim të tillë.

“Është një ide që e gjejmë gjithandej dhe ne në Vushtrri kemi vendosur ta praktikojmë. Ne kemi aprovuar kodin e etikës dhe kodin e mirësjelljes për shërbyesit civilë të komunës bashkë me USAID-in amerikan dhe e kemi lëshuar këtë inciativë që të nxisim çdo kënd që është viktimë e sjelljeve korruptive të kujtdo prej zyrtarëve komunalë”, tha Tahiri.