VV: Aktivistit në burg po i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti”

VV: Aktivistit në burg po i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti”

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sot një komunikatë për media nëpërmjet së cilës, bënë të ditur se aktivisti i kësaj partie, Atdhe Arifi, që gjendet në burgun e Lipjanit po terrorizohet nga zyrtarë të burgut duke ia kujtuar edhe vdekjen e aktivistit tjetër, Astirt Dehari.

“Familja e aktivistit Atdhe Arifi, që e kishte vizituar sot atë, na tregoi që Atdheu po provokohet nga zyrtarët e burgut, të cilët gjatë gjithë kohës i futen në dhomë, e marrin nëpër zyra të ndryshme, e terrorizojnë pas mesnate duke hyrë në dhomën e tij me bateri dore, dhe në vazhdimësi i thonë “mos bëj vetëvrasje edhe ti, siç ka bërë Astriti’”, thuhet në komunikatën e VV-së që citon familjen e Atdhe Arifit.

Sipas kësaj komunikate,  vdekja e Astrit Deharit para tri ditësh, dhe pastaj “terrorizimi psikik ndaj aktivistit tonë Atdhe Arifi, flet për terrorin sistemik që po instalohet në Kosovë dhe që për cak ka thyerjen shpirtërore e fizike të të rinjve e të rejave që po guxojnë t’i rezistojnë kësaj Qeverie”.

VV kërkon lirimin e menjëhershëm të Egzon Halitit dhe Atdhe Arifit.

“Burgjet e këtij regjimi nuk janë më ambiente të sigurta, të qeta e normale për të burgosurit, e veçanërisht për të burgosurit politikë. Lirimi i Atdhe Arifit e Egzon Halitit duhet të bëhet menjëherë dhe pa kushte”, thuhet në fund të komunikatës.