fbpx

VV akuzon qeverinë: Po tenton të shkatërrojë Telekomin

VV akuzon qeverinë: Po tenton të shkatërrojë Telekomin

Moszbatimi i dymbëdhjetë pikave të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Kosovës, tash e gjashtë muaj për ndërmarrjet publike të Telekomit dhe Postës së Kosovës, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të kërkojë që sa më parë, në mënyrë urgjente, kryeministri Ramush Haradinaj të marrë vendim që të gjitha ato pika të zbatohen nga qeveria e tij.

Eksperti i telekomunikacionit nga kjo parti, Fatban Bunjaku ka thënë se moszbatimi i rezolutës po dëshmon se kryeministri ka plan që të kap gjitha bordet publike.

Sipas tij, kërkesat e kësaj rezolute janë obligim për qeverinë dhe duhet zbatuar.

“Qeveria Haradinaj edhe një herë dëshmoi për më shumë se një vit se ka plan për të kapur bordet e ndërmarrjeve kryesore publike, apo agjencive që menaxhojnë me asketet e vendit. U emëruan dhjetëra anëtarë bordesh pa kompentecë profesionale, me kriterin partiak sipas partive të koalicionit. U dëshmua paaftësia e tyre, por dhe vrulli i tyre për keqpërdorime. Bordet e AKP-së, KEK-ut, Trepçës, bartin të njëjtat probleme në thelb me atë të bordit drejtues të Telekomit, por dhe të ndërmarrjes Posta e Kosovës. Sot bëhen gjashtë muaj nga miratimi i rezolutës në Kuvendin e Republikës për Telekomin dhe Postën. Kërkesat e kësaj rezolute, obligim për qeverinë, kryeministrin, ende nuk janë zbatuar”, tha ai.

Më pas, përfaqësuesi i VV-së u shpreh se qeveria po e përdorë Telekomin vetëm për të punësuar militantë partiakë.

Ai bëri të ditur se janë emëruar dhjetëra anëtarë të bordeve të gjithë me kritere partiake, ndërsa shtoi se në bazë të kësaj u dëshmua paaftësia e tyre, por dhe vrulli për keqpërdorime.

“Qeveria ka populluar dhe i ka qarkulluar në bord dhe në pozita menaxheriale, individë nga kontingjenti i militantëve, sipas ndarjes aktuale të pushtetit. E vuri në krye të Telekomit, Gent Begollin, i cili në fillim thoshte se kishte plane të mëdha dhe papritmas dha dorëheqje, për t’u zëvendësuar me zotëri Trim Musliun dhe më pas me zotëri Bedri Istrefin. Pastaj kryeministri në një intervistë për një media elektronike tha se për Telekomin nuk ka shpresë. Ndërkohë, pagesat për kompanitë e lidhura me pushtetin nuk ndaleshin, kurse degradimi i qëllimshëm i cilësisë së shërbimit nuk ndalej”, deklaroi Bunjaku.

Kurse, eksperti tjetër i kësaj partie, Salem Lepaja tha se rezoluta e miratuar në Kuvend po e heshtë qeverinë, derisa marrëveshja abuzive, siç e cilëson ai, po vazhdon duke plaçkitur Kosovën në mënyrë të pa mëshirshme.

“Rezoluta heshtet nga kryeministri dhe qeveria, derisa marrëveshja abuzive në mes të Telekomit të Kosovës dhe të kompanisë Dardafon.net, përkatësisht Z-mobile vazhdon. Pra vazhdon plaçkitja e Telekomit të Kosovës në mënyrë të pa mëshirshme…krejt çka është dashur kryeministri është që të urdhërojë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka të ndërpres këtë kontratë”, deklaroi ai.

Ai theksoi se kryeministri nuk ka pasur vullnet për të zbatuar këtë kontratë, sepse i ka pasur gjitha mundësitë përmes ish drejtorit partiak të tij por nuk ka dashur të cenoi interesat e veta ekonomike.

Kurse, kishte një kërkesë për institucionet e drejtësisë, përkatësisht Prokurorinë e Shtetit që të hetoi në mënyrë të detajuar gjithë kontratën me Z-mobile.