VV distancohet nga pohimet e Korenicës, por e lë kandidat për kryetar komune

VV distancohet nga pohimet e Korenicës, por e lë kandidat për kryetar komune

Qëndrimet anti shtetit të Izraelit të ndidati për kryetar të Rahovecit nga Lëvizja Vetëvendosje, Visar Korenica kanë detyruar partinë e tij që të distancohet nga këto qëndrimet e tija.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri nëpërmjet një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se qëndrimi i Visar Korenicës, “i shkruar më parë për Izraelin, as nuk paraqet qëndrimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, as nuk është i drejtë dhe as i pranueshëm”.

“ Ai nuk përkon me konceptin politik të Lëvizjes, ky i fundit i bazuar në parimet e të drejtave universale të barazisë e bashkekzistencës paqësore mes popujve. Mospajtimi me politikën e caktuar shtetërore nuk guxon të eskalojë në thirrje për zhdukjen e një shteti. Secili popull ka të drejtën e tij ta organizojë jetën kolektive në liri e barazi, dhe assesi e asnjëherë duke ia cenuar këto të drejta një populli tjetër”, shkroi Ymeri.

Por Ymeri nuk e bëri të qartë nëse Korenica do të jetë ende kandidat për kryetar komune në Rahovec.

Insajderi ka pyetur zyrën për media në Lëvizjen Vetëvendosje për të pyetur nëse Korenica është ende kandidat për kryetar komune, dhe sipas tyre, VV-ja vetëm është distancuar nga qëndrimi i tij i mëhershëm.

“Deklarata e tij është e mëhershme na s’mundemi t’ia skanojmë çdo deklarate që e ka dhënë. E rëndësishme është që ai është distancuar dhe po ashtu edhe Ymeri”, ka thënë Shkodran Hoti nga zyra për media në VV.

E Visar Ymeri tha se Korenica i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! këtë vit me ç‘rast edhe ka kandiduar për kryetar të Rahovecit. Ka kërkuar falje dhe ka thënë që nuk mendon ashtu.

“Ka theksuar që deklaratën e tij e ka dhënë nga zemërimi momental dhe se ajo nuk paraqet qëndrimin e tij. Kur të zgjidhet në këtë pozitë, ai do të ketë shumë punë për ta drejtuar komunën, për ta përmirësuar përkrahjen për bujqësinë, për të krijuar kushte të nevojshme e të domosdoshme për shëndetësi cilësore, e rend e disiplinë në shkolla. Fusha e politikës së jashtme dhe e marrëdhënieve ndërkombëtare mbetet çështje e institucioneve qendrore, të cilat në dhjetëvjeçarin e fundit kanë kontribuar drejtpërdrejtë në degradimin e tyre, duke u përpjekur njëkohësisht ta kamuflojnë këtë dështim përmes shpifjeve ndaj Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në fund të statusit të Ymerit./Insajderi.com