VV gjen edhe një banesë tjetër që ta përdorë për fushatë

VV gjen edhe një banesë tjetër që ta përdorë për fushatë

Kishte qenë nëntori i vitit 2010 kur lideri i atëhershëm i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti do të bënte atë që nuk e kishte bërë asnjë kryetar partie: shiti banesën për ta financuar partinë e saj që po bëhej gati për zgjedhjet e para që do të merrte pjesë e që u mbajtën në dhjetor.

Kurti e kishte shitur 70 mijë euro banesën në lagjen Dardania në Prishtinë ndërsa me ato para e kishte financuar fushatën e partisë por përtej këtij efekti, buja që kishte bërë ky veprim e kishte ndihmuar VV-në dhe liderin e saj që të dalë si parti e cila nuk është e pasur në mesin e shumë partive drejtuesit e së cilit tashmë i kishin milionat.

Megjithatë VV-ja nuk kishte arritur që të fitonte zgjedhjet duke mos pasur as mundësinë e formimit të Qeverisë, por katër vite më pas, kur VV-ja është më afër se kurrë të dalë partia e parë, një tjetër banesë, është vënë në shërbim të së njejtës kauzë: efekti në publik.

Qëndron Kastrati është kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Kamenicës.

Kësaj radhe nuk është asnjë lider i partisë që shet banesën, por një deputet i ri i VV-së, Qëndron Kastrati. Ai e ka dhuruar banesën e tij të cilën e ka fituar nga Komuna e Prishtinës para katër viteve, por këtë nuk e ka bërë publike ai, por kryetari i Prishtinës dhe kandidati i VV-së për kryetar, Shpend Ahmeti.

Fillimisht Ahmeti, ka treguar se Qëndroni është djali i Isa Kastratit, dëshmorit të Komunës së Prishtinës, dhe është fëmiu më i madh prej 6 fëmijëve të familjes e më pas ka treguar lajmin që Kastrati nuk ka dashur ta bëjë publike, por që Ahmeti ia bëri publike, në kohë fushate.

“Dua ta tregoj edhe një ngjarje që Qëndroni nuk ka dëshirë që unë me e tregu. Para disa viteve, Komuna e Prishtinës i ka nda banesë familjes Kastrati në procesin e ndarjeve të banesave për kategori të luftës. Pasi që është zgjedhur deputet, Qëndroni e ka kthyer banesën e Komunës, “duke shkruar se tanimë i ka të ardhurat dhe nuk i nevojitet një banesë nga komuna”. Ka kërkuar që kjo banesë ti ndahet familjeve të tjera të kategorive të luftës ose rasteve sociale”, ka shkruar Ahmeti.

Më pas ka uruar që të edhe të tjerët ta përcjellin shembullin e Kastratit dhe tek në fund ka shkruar se i uron që të zgjidhet kryetar i Dardanës (Kamenicës).

Çështja e ndarjes së banesave ishte bërë temë e nxehtë mes LDK-së dhe VV-së, kur e mori pushtetin Ahmeti. Vetëm para pak kohësh, Ahmeti e kishte akuzuar Ismet Beqirin nga LDK-ja se ia kishte ndarë banesën 120 metra katrorë vetës dhe bash në atë proces i ishte ndarë edhe banesa Kastratit./Insajderi.com