VV i kërkon LDK-së “ndërrim kokë më kokë” – Posti i Presidentit e MPB-ja ‘prishën’ marrëveshjen

VV i kërkon LDK-së “ndërrim kokë më kokë” – Posti i Presidentit e MPB-ja ‘prishën’ marrëveshjen

Plotë tre muaj që kur kanë përfunduar zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje që doli e para nga këto zgjedhje duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk po arrijnë ta bëjnë një marrëveshje e cila jep dritën jeshile për formimin e Qeverisë së re.

E ‘mollë sherri’, po del të jetë posti i Presidentit dhe Ministria e Punëve të Brendshme. Ndonëse kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur që do ishte udhëheqës i qeverisë së re, duke thënë se do ta ç’kapë shtetin, ai me deklaratat që i bëri 1 ditë para seancës konstituive të kuvendit, po del ta bëjë të kundërtën e asaj se çfarë ka premtuar para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, shkruan Gazeta Insajderi.

Albin Kurti, përmes një videoje në rrjetin social Facebook, paraqiti tri pika në të cilat sipas tij, ka ngecur ‘koalicioni i shpresës’. Ajo më e rëndësishmja është pika e dytë e cila thotë: Në qoftë se LDK, insiston në postin e Presidentit, atëherë LVV-së duhet t’i takojë Ministria e Punëve të Brendshme.

Ky ndërrim i cili në gjuhën popullore ka një shprehje tejet të lezetshme ‘kokë më kokë’, sipas Kurtit, nuk i ka pëlqyer LDK-së.

“Pika e dytë: Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë, por nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë VV-së t’i shtohet një ministri, është ajo e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-së bëhet pasi të mos kemi gjetur një kandidat konsensual jashtpartiak kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij/saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti.

Por, kjo çështje nuk është se u lajmërua sonte. Kjo është ngritur edhe javë më parë nga anëtarët e të dy partive.

Ishte anëtari i LDK-së, Arben Gashi i cili në një emision kishte treguar se pse MPB-ja, duhet t’i takojë LDK-së.

“Nëse edhe MPB lihet tek VV, do të ishte disbalancim. Pastaj edhe ministria e Mbrojtjes. Jo krejt sektori i sigurisë të jetë i disbalancuar, Edhe Ministria e Mbrojtjes kërkon një qasje më të qetë dhe më të kujdesshme për shkak të specifikave që ka. Ajo krijohet në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë’’, kishte thënë Gashi.

E si punë të kryer që kjo ministri do t’i takojë LDK-së, e kishte quajtur Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës nga radhët e kësaj partie. Ai pati thënë se është zgjedhur edhe problemi i ministrive të përfolura, duke pohuar se Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë LDK-ja.

Ndonëse nga LDK-ja thoshin se MPB-në e kanë ata, edhe nga VV-ja vazhdonin të thoshin se këtë ministri e kanë ata.

Agim Bahtiri, ishte shprehur i bindur se koalicioni do të arrihet. Bile ai kishte thënë se MPB-ja i takon Vetëvendosjes, dhe pikë.

“Ministria e Punëve të Brendshme do ti takojë Lëvizjes Vetëvendosje pikë”, ishte shprehur Bahtiri.

Duke mos e lënë anash këtë ministri shumë të rëndësishme, të cilës ia panë sherrin VV dhe LDK, posti i Presidentit, ishte edhe më i kërkuar. Ani pse, në këtë pikë, Vetëvendosje thoshte se marrëveshjen për këtë duan ta lënë për më vonë dhe se sipas tyre, duhet të jetë një kandidat koncensual dhe jashtpartiak.

Por, assesi nuk arritën ta bindin LDK-në.

LDK, vazhdoi dhe po vazhdon ta kërkojë këtë post.

Pak ditë më parë Isa Mustafa, në një konferencë për media, pati thënë se LDK-ja nuk do të zmbrapset nga kërkesa për pozitën e Presidentit.

Ndërsa në 30-vjetorin e themelimit të LDK-së, ai i bëri thirrje VV-së, që ta lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“LDK ka lexuar qartë rezultatet e zgjedhjeve të gjashtë tetorit dhe po sillet me përgjegjësi maksimale ndaj këtyre rezultateve, prandaj mendojmë se edhe VV duhet të lexojë rezultatet dhe të pranojë se jemi parti që kemi dalë thuajse barabartë nga këto zgjedhje. Jemi pajtuar që pozita e kryeministrit ta bëjë partnerin tonë, që nga hyrja në fushatë në këto zgjedhje”, kishte deklaruar Mustafa.

Por, Kurti kishte thënë se LDK po e kërkon postin e Presidentit e nuk po ju tregon se kush është ai.

“Po më kërkohet një pëlqim blanko. Më kanë kërkuar postin por nuk më kanë treguar kush është ai”, ka thënë Kurti. “Asnjë nga tre anëtarë e kryesisë së LDK-së nuk e kanë pranuar se duan të bëhen president”, kishte thënë Kurti.

Nesër në orën 15:00 do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, mirëpo në këtë seancë të dy partitë që morën besimin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, nuk do të shkojnë me një marrëveshje. E ajo që do të ndodhë ende nuk dihet, derisa në media është raportuar se LDK, ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, 5 orë para se të nisë seanca. Se a do të arrihet që nesër të nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës nuk ka shumë shpresë, ani pse, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, para pak minutash nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, i është përgjigjur Kurtit, duke i thënë se partia e tij është ende e gatshme për negociata./ Insajderi.com