VV-ja e dorëzon në fund të javës listën për deputetë, Kurti i prinë asaj liste

VV-ja e dorëzon në fund të javës listën për deputetë, Kurti i prinë asaj liste

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të kandidojë për deputet dhe do të jetë bartës i listës në zgjedhjet e 14 shkurtit, njofton Insajderi.

Kështu ka thënë Adnan Rrustemi nga VV-ja në një intervistë për Ekonomia Online.

Rrustemi, është shprehur se ish-kryeministri Albin Kurti dhe ish-ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu kanë dënim alternativ që sipas tij, nuk mund të ketë pasoja juridike.

“Padyshim që Kurti do të jetë bartës i listës së kandidatëve të VV-së, për zgjedhjet e 14 shkurtit, para se të jetë edhe kryeministër padyshim se do të jetë edhe deputet. Kurti dhe Haxhiu kanë dënim alternativ që nuk është dënim kryesor dhe dënimi alternativ nuk ka pasoja juridike, ashtu siç përcaktohet edhe me kodin penal në bazë të cilët ju është shqiptuar kjo masë dhe në të njëjtën kohë Kushtetuta e Kosovës pala që në rastin konkret e përdor kodin penal kur ka qenë në fuqi në kohën kur janë dënuar”.

“Nuk ka kufizim ligjor as kushtetues se kandidimi i Kurtit dhe Haxhiut aktgjykimi do të lexohet drejtë edhe në përmbajtjet dhe se kandidat për deputet mund të jenë personat të cilët janë dënuar me një vit e më shumë burg me mënyrë efektive”.

Rrustemi, tutja ka sqaruar se VV-ja tashmë i ka shpallur zgjedhjet brenda partisë ku secili anëtar i VV-së e ka të drejtën që të kandidojë për deputet.

“VV-ja tashmë i ka shpallur zgjedhjet e brendshme, ku secili anëtar i VV-së e ka të drejtën për dhe mundësinë që të kandidohet për deputet natyrisht në përputhje me statutin duke mbledhur nënshkrime të nevojshme siç parashihet sepse ne e kemi të përcaktuar se 1/2 e listës për deputet vije nga qendrat tona, ndërsa 1/4 propozohet nga kryetari i Lëvizjes dhe pjesa tjetër nga Kryesia e VV-së”.

Tutje ai është shprehur se Lëvizja Vetëvendosje është e hapur për bashkëpunime.

Sipas tij, deri më tani nuk ka asgjë konkrete dhe pritet të definohen deri në fund të kësaj jave, ku dhe është edhe afati i fundit për ta dorëzuar listën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Natyrisht që brenda VV-së ka hapësirë për bashkëpunime me palë të treta dhe lidhur më bashkëpunimet deri më tani nuk ka asgjë konkrete dhe nëse e nisim nga përvoja e shkuar ne kemi pasur bashkëpunim me zonjën Kusari dhe kemi pasur një bashkëpunim politik me zonjën Osmanin, për shkak të qëndrimeve të saj parimore në ndërlidhje me atë që gjatë vitit të kaluar dhe ajo ka pasur një qëndrim të drejtë për të mbrojtur vullnetin për ndryshim dhe e gjithë kjo definohet deri në fund kësaj jave kur është edhe afati i fundit për ta dorëzuar listën”.

E sa i përket rezultatit, nga VV-ja kanë thënë se presin që ai të jetë plebishitar dhe që të marr shumicën.

“Rezultati presim që të jetë plebishitar unë nuk dua të flasë me shifra, por konsideroj që VV-ja do të marr shumicën e nevojshme për të ndërtuar Qeverinë pa u varur nga të tjerët”./Insajderi.com