VV-ja fton Kryeministrin Hoti të raportojë për marrëveshjen në Uashington në disa komisione parlamentare

VV-ja fton Kryeministrin Hoti të raportojë për marrëveshjen në Uashington në disa komisione parlamentare

Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar raportim urgjent në disa komisione parlamentare të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrave që ishin pjesë e delegacionit të Kosovës për marrëveshjen e arritur me Serbinë më 4 shtator në Uashington, njofton Insajderi.

Sipas një njoftimi nga kjo parti, Hotit i është kërkuar të raportojë, për këtë marrëveshje dhe për takimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel më 7 shtator, në Komisionin për Politikë të Jashtme, atë për Ekonomi, atë për të Drejtat e Njeriut dhe atë për Mbikëqyrje të Financave Publike.

Sipas VV-së, Hoti dhe delegacioni duhet të raportojnë para Komisionit për Punë të Jashtme “për arsye se lista e zotimeve të bëra në letrën e 4 shtatorit, është një listë me përfitime për Republikën e Serbisë në kurriz të subjektivitetit, integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës”.

“Që nga bërja hisedare Serbinë në shfrytëzimin e resurseve shtetërore të Republikës së Kosovës, pranimi i mini-shengenit si një ide dhe projekt i Serbisë për të garantuar hegjemoninë ekonomike e tregtare, vënies në funksion të këtij synimi të infrastrukturës rrugore e hekurudhore të Kosovës e deri tek dalja në detin Adriatik si një ëndërr e kamotshme e shtetit të Serbisë, e heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, janë të gjitha në kundërshtim me interesat e Kosovës e krejtësisht në shërbim të Serbisë”.

Për ftesën para deputetëve në Komisionin për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, Vetëvendosje ka thënë se Hoti duhet të raportojë për nënshkrimin për ndarjen e shfrytëzimit të Ujmanit dhe pranimin e Mini-Schengenit.

“Liqeni i Ujmanit është pasuri e shtetit të Kosovës, pronë e Ndërmarrjes Publikë Ibër-Lepencë, i ndërtuar nga institucionet e Kosovës. Ndërsa, Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton resurset shtetërore. Po ashtu, bërja pjesë e minishengenit, si një projekt dhe ide e Serbisë dëmton interesat e Kosovës”.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e pagjetur dhe Peticione është ftuar për raportim zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

“Qëndrimi i këtij delegacioni është i turpshëm dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale. Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës më vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa fshehja e heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë”, shtohet në komunikatën e VV-së./Insajderi.com