VV-ja thotë se në Pejë nuk ke menaxhim të mirëfilltë të mbeturinave

VV-ja thotë se në Pejë nuk ke menaxhim të mirëfilltë të mbeturinave

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, të shtunën në një konferencë për media, ka akuzuar kryetarin e komunës së Pejës dhe kompaninë e mbeturinave “Ambienti” për keqmenaxhim të mbeturinave në këtë qytet.

Aktivisti i VV-së, Orgen Kelmendi, ka thënë se kryetari i komunës, Gazmend Muhaxheri, po i fajëson qytetarët për gjendjen me mbeturinat edhe pse “ai duhet t’i sigurojë vendet ku ata duhet t’i hedhin ato”.

“Kryetari Muhaxheri duke u munduar të mbrojë fajtorët e vërtetë për keqmenaxhim të mbeturinave, fajin po e hedh tek qytetarët. Kjo për qytetarët është e papranueshme, pasi faji nuk mund të hedhet tek ta”, ka deklaruar Kelmendi.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kishte publikuar para dy ditëve në Facebook një video në të cilën shihet një person teksa hedh mbeturina në Lumëbardhë dhe këtë postim Muhaxheri e ka bërë në kuadër të albumit “Turpërimi Publik”, ku ai ka nisur të publikojë përmbajtje të shkeljeve për ndotje të mjedisit nga qytetarë të Pejës.

Kelmendi ka thënë se në Pejë çdo ditë shihen pamje në pjesë të ndryshme të qytetit të mbeturinave të shpërndara rreth kontejnerëve të stërngarkuar, si pasojë e numrit të vogël të tyre dhe si pasojë e mbledhjes së rrallë të mbeturinave në lagjet e qytetit ku numri i banorëve është shumë i madh.

“Gjendja me mbeturina në Pejë nuk është ditëve dhe javëve të fundit, por po vazhdon gjatë gjithë mandatit të kryetarit Muhaxheri. Nga të dhënat e siguruara nga Lëvizja Vetëvendosje sipas draft raporteve të viteve të fundit, mbi menaxhimin e mbeturinave komunale në Kosovë, të përpiluara nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, del që qytetari i Pejës, prodhon 1.05 kilogramë mbeturina në ditë, më së shumti nga banorët e rajoneve tjera në vend”, ka deklaruar më tej Kelmendi.

Sipas tij, nëpër qytetin e Pejës janë të shpërndarë rreth 100 kontejnerë dhe me sasinë e prodhimit të mbeturinave në qytet, ky numër i kontejnerëve dhe pikave grumbulluese, siç shtoi ai, është jashtëzakonisht i vogël.

“Si LVV, kërkojmë nga kryetari i Pejës, që të mos e luajë rolin e opozitës karshi qytetarëve, dhe po ashtu, kërkojmë nga ndërmarrja ‘Ambienti’, që të marrë masa të menjëhershme ndaj gjendjes aktuale. Nëse nuk merret asnjë masë në javët në vijim, atëherë na pret një kaos i vërtet, pasi kur vijën edhe mërgimtarët dhe konsumi ditor rritet”, është shprehur ai.

Mirëpo, në anën tjetër, Nexhat Abdullahi, drejtor i kompanisë rajonale të mbeturinave “Ambienti”, i ka mohuar akuzat e ngritura nga LVV-ja për keqmenaxhim të mbeturinave, duke dhënë se ato janë të pavërteta.

Dhe si “dëshmi” Abdullahi tregoi një pjesë nga raporti për performancën e menaxhim të mbeturinave në Kosovë nga organizata gjermane GIZ dhe Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), që është në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Atyre qe ju intereson përformanca e jonë, të hulumtojnë më mirë dhe të lexojnë raportet e GIZ-it dhe AMMK-së. Në garë për performancë të mirë që e ka organizua GIZ-i gjerman me Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor, për vitin 2017, kompania ‘Ambienti’ bashkë me Komunën e Pejës e ka pas vendin e parë dhe kemi fituar 504 mijë euro. Sivjet marrim kamionë në këtë vlerë, pasi janë vonuar procedurat e tenderimit nga ana e bankës gjermane KfW. Në vitin 2018 dhe 2019 bashkë me Komunën e Pejës i kemi fituar afër 450 mijë euro për vendin e parë në viti 2018 dhe vendin e dytë në vitin 2019 për performancë te mirë në menaxhimin e mbeturinave. GIZ-i gjerman ka hapur tender për këtë vlerë për të cilën do të marrim kamionë dhe kontejnerë. Mua nuk me intereson politika dhe ata si opozitë mund flasin çfarë të duan, por ajo që ata paskan thënë nuk ekziston”, ka thënë Abdullahi.

“Askund në botë nuk ka përditë, dy ditë, tri ditë apo pesë ditë në javë të shkosh me ja marrë mbeturinat secilit në shtëpi. E sa i përket numrit të kontejnerëve, ne konsiderojmë që ka mjaftë kontejnerë dhe në rrugë kryesore aty ku ka e ku nuk ka kontejnerë, ne çdo ditë kryejmë shërbime. Edhe qytetarët e dinë orarin kur duhet t’i hedhin në rrugë mbeturinat dhe ne shkojmë e i marrim ato rregullisht”, ka thënë Abdullahi.

Sipas tij, mbeturinat janë duke u menaxhuar shumë mirë dhe se siç shtoi ai, nëse kjo kompani shton aktivitetin e saj për mbledhjen e mbeturinave shtohen edhe shpenzimet dhe si rrjedhojë edhe rritja e faturave./Insajderi.com