VV kërkon rrëzim të qeverisë në pandemi – por, “dallon thellësisht nga mocioni që ishte bërë për rrëzimin e Qeverisë Kurti”

"Ai ishte bërë për kundër pandemisë, kurse ky mocion po bëhet pikërisht për shkak të pandemisë".

VV kërkon rrëzim të qeverisë në pandemi – por, “dallon thellësisht nga mocioni që ishte bërë për rrëzimin e Qeverisë Kurti”

Lëvizja Vetëvendosje ka arsyetuar nismën e saj për ngritjen e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti, në kohën kur vendi po përballet me një krizë të madhe me pandeminë.

Për Vetëvendosjen është pikërisht menaxhimi i dobët me pandeminë nga Qeveria Hoti, që ka shtyrë ata të marrin një iniciativë të tillë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Vetëvendosjes, ka thënë se mocioni ndaj Qeverisë është parë si nevojë e domosdoshme për ta ndalur keqmenaxhimin me pandeminë.

Vetëvendosje e cila kishte kritikuar ish-partnerin e koalicionit LDK-në, e cila po ashtu në kohën kur vendi përballej me pandeminë COVID-19, kishte iniciuar mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti, vlerëson se mocioni i iniciuar nga ta dallon shumë nga ai LDK-së.

“Ai dallon thellësisht nga mocioni që ishte bërë për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, për faktin se ai ishte bërë për kundër pandemisë, kurse ky mocion po bëhet pikërisht për shkak të pandemisë, duke qenë se ka një pajtueshmëri të padiskutueshme se menaxhimi nuk është aspak në nivel, për të mos thënë që është inekzistent me shifrat tash alarmante ku brenda  vetëm dy muajve kemi 270 të vdekur”.

“Prandaj kjo është paraqitë si nevojë edhe domosdoshmëri për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të këtij cikli të keq të menaxhimit”, është shprehur Kryeziu./Insajderi.com