VV kërkon shkarkimin e zëvendëskryeministrit, DritonSelmanaj

VV kërkon shkarkimin e zëvendëskryeministrit, DritonSelmanaj

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Driton Selmanaj, pas deklaratës së këtij të fundit lidhur me çështjen e të pagjeturve, njofton Insajderi.

Sipas deputetit të LVV-së, Gazmend Gjyshinca, zëvendëskryeministri duhet të shkojë në shtëpi, pasi deklaratave se ai nuk lodhet për të diskutuar për fatin e të pagjeturve.

“Deklarimi të cilin e kemi dëgjuar dje edhe në Kuvend, e më pastaj në emisione televizive për nga logjika e të deklaruarit nuk dallon nga deklaratat që i kemi parë vite më parë. E për të cilat ministra në të kaluarën janë shkarkuar, po flas për Aleksandër Jaballanoviqin. Pra nëse dikur i kemi mbushur sheshet për të protestu deklaratave me logjik të njëjtë, mendoj se do të duhej të protestonim edhe sot në kuptimin që ta deklarojmë papajtueshmërinë më këto deklarata. Një zëvendëskryeministër nuk mund të lodhet assesi për të diskutuar mbi fatin e të pagjeturve tanë. Ai që deklaron një gjë të tillë duhet të shkojë në shtëpi, të shkarkohet dhe të kërkojë falje”, tha ai.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se tema e të pagjeturve është e ndejshme dhe nuk duhet të politizohet.

“Është një temë shumë delikate e ndjeshme. Është e padrejtë të shfrytëzohet politikisht dhe të ndërtohet një kauzë politike. Siç e kam thënë edhe dje, po e them edhe sot është e ndershme të shfrytëzohet këtë mënyrë, duke pasur Mimoza Kusari-Lilën në bankën e parë si propozuesi që t’i ngritët shtatore kriminelit të luftës Fadil Hoxha, i cili ka zhdukur 7000 mijë veta brenda tri dite. Kemi gabuar që e kemi pas. Është e pandershme të trajtohet kjo punë nga këndvështrimi personal duke ditur që grupi parlamentar të LDK-së kemi persona që kanë familjarë të vrarë dhe masakruar. Kemi rastin e Shaban Manajn, babin e Shkëmb Manaj që është djegur pas luftës dhe kemi parë në media ku janë dyshimet. Prandaj iu kërkoj që këto raste mos të personalizohen dhe mos të bëhen tema të debateve përditshme politike se janë tema të rënda”, tha ai.

Madje, Gashi deklaratën e Selmanjt e cilësoi si të nxjerr jashtë kontekstit.

“Sa i përket deklaratës së zëvendëskryeministrit nuk e kam parë debatin, me aq sa lexova mu dok me nxjerr prej kontestit”, u shpreh ai.

Këto polemika, dy deputetët i kanë bërë gjatë Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asocim BE – Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje po pretendon se zëvendëskryeministri Driton Selmanaj në një emision televiziv dje ka deklaruar se është lodhur nga deklaratat e viktimizimi për çështjen e të pagjeturve. /Insajderi.com