“VV-LDK do ta flijojnë Ministrinë e Kulturës”

“VV-LDK do ta flijojnë Ministrinë e Kulturës”

Analisti politik Shkëlzen Maliqi në Zona e Debatit, ka thënë se nëse Ministria e Kulturës do t’i jepet minoriteteve atëherë ajo është flijuar pasi vëmendja e Vetëvendosjes dhe e LDK-së është te ministritë që kanë më shumë pushtet dhe para.

“Kultura gjithë kohën ka qenë e neglizhuar dhe s’ka qenë prioritet. Të gjithë ministrat kanë qenë të dobët apo të dorës së dytë. Edhe kur kanë qenë disa që kanë pas ambicie s’kanë pas mundësi veprimi me buxhetin që e kanë pas. Tash pa dhimbje e kanë dorëzuar”.

“Nëse ata kanë vendosur që me shumë artificialitet të reduktojnë qeverinë vetëm me 12 ministri atëherë kultura ka qenë ajo që flijohet. Për këto ministritë tjera është interesi më i madh. Ka më shumë pare dhe më shumë pushtet. Dhe kjo ministri është dytësore”.

Sipas Maliqit reduktimi i ministrive në 12 nuk do të jetë edhe reduktim i shpenzimeve apo stafit.

“Por edhe ministritë që grumbullohen do ta kenë stafin e vet edhe aty i rehatojnë disa prej kuadrove të tyre që mund të jetë edhe një lloj reduktimi i shpenzimeve apo të krijohet kjo përshtypje”.

“Kjo me Ministrinë e Kulturës ka mbetur si njëlloj pazari i fundit ku nuk kanë dashur t’ia japin partisë tjetër ndonjë më të rëndësishme dhe e kanë flijuar Kulturën”.