VV: Mustafa është kriminel e servil, duhet të përfundojë në burg

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar ashpër Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe liderin e saj Isa Mustafa. Partia e Ymerit e ka quajtur LDK-në "parti kriminale", ndërsa liderin e saj e ka cilësuar si “injorant, servil e antikombëtar, i cili duhet të përfundojë prapa grilave”.

VV: Mustafa është kriminel e servil, duhet të përfundojë në burg

Përmes një reagimi zyrtar, Vetëvendosje e ka quajtur LDK-në një parti komuniste “e cila udhëhiqet nga shërbyesi i atij regjimi”, raporton Insajderi.

“E tunduar nga nostalgjia për regjimin komunist jugosllav, partia e udhëhqur nga shërbyesi i atij regjimi që e do kultivimin e tij edhe në Kosovën e sotme, e paska quajtur VETËVENDOSJE!-n kriminale e neokomuniste”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Vetëvendosje po ashtu komenton afrimin e Mustafës me liderin e PDK-së, Kadri Veseli dhe ish-kryetarin Hashim Thaci, për çka thotë se “janë bërë bashkë në djepin e krimit”.

“Në vend se të merret me inskenimet e shpifjet e Policisë, LDK duhet të merret me kriminelët e shumtë brenda saj, që degraduan Prishtinën e që po ndjekin traditë të njëjtë në qeverisjen qendrore. Por, siç duket kjo parti ka gjetur rehatinë në djepin e krimit, pranë Hashim Thaçit e Kadri Veselit”, thuhet në kumtesë, raporton Insajderi.

“Isa Mustafa është injorant, servil, kriminel e antikombëtar,  dhe e ardhmja e tij patjetër që do të përfundojë prapa grilave, bashkë me miqtë nga klani Pronto”, thotë Vetëvendosje.

Vetëvendosje organizoi të ënjtën një protestë para Kuvendit të Kosovës, dhe pas saj ka pranuar akuza nga Policia e Kosovës se “po tentonin të kryenin një sulm terrorist”. VV ka mohuar akuzat dhe tani ajo pretendon se këto janë inskenime të pushtetit. /Insajderi.com