fbpx

VV po bëhet gati për protesta, LDK tregon a do t’iu bashkangjitet

VV po bëhet gati për protesta, LDK tregon a do t’iu bashkangjitet

Pakënaqësitë ndaj qeverisjes aktuale, Lëvizja Vetëvendosje ka menduar t’i shpreh përmes protestave. Zyrtarë të saj ditë më parë kanë deklaruar se për këtë çështje janë duke mbajtur tubime mobilizuese nëpër komuna të Kosovës.

Dy partitë tjera opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate edhe pse janë kundër kësaj qeverie, nuk po pranojnë të jenë pjesë e këtyre protestave.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi ka thënë për lajmi.net se janë duke mbajtur tubime mobilizuese në gjithë Kosovën dhe sot do të jenë në Obiliq.

“Ne jemi në tubime mobilizuese në të gjithë Kosovën sot do të jemi në Obiliq dhe nesër do të jemi në komuna tjera. Kudo që po shkojmë pjesëmarrja është më shumë se pritjet tona që i kemi pas. Referuar të kaluarës kur ne kemi pas tubime mobilizuese nëse do të organizonim protestë tash do të ishte edhe më e madhe, dihet tashmë që qytetarët janë të gatshëm me protestu sesa me ik prej Kosovës”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, është e rëndësishme që partitë tjera opozitare nuk e kanë kundërshtuar protestën, ndërsa ka theksuar se kanë dakordim me to sa i përket çështjeve që i trajtojnë.

Lidhja Demokratike edhe pse e përkrah Vetëvendosjen në synimin për ta rrëzuar qeverinë, e mohon pjesëmarrjen në protesta.

Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së, ka thënë se në këtë parti po zhvillohet debat i thellë mbi dështimet e koalicionit qeverisës.

“LDK, partia më e madhe, më demokratike dhe me historikun më të gjatë në Kosovë, që nga 15 marsi, është në proces zgjedhor, në kuadër të të cilit po zhvillohet debat i thellë mbi dështimet e koalicionit qeverisës, për shkallën e lartë të krimit dhe korrupsionit dhe skandalet e përditshme të Qeverisë, të cilave nuk po u shihet fundi askund. Ky debat brenda LDK-së, përbën një mobilizim të natyrshëm dhe përmbajtjesor të strukturave, votuesve dhe përkrahësve të LDK-së për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës, që është një qëllim i përbashkët me LVV-në”, është shprehur Mustafa.

Sipas tij, ky debat dhe ky mobilizim i brendshëm në LDK do rezultojnë në vendime dhe veprime të qarta e të fuqishme në rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës që kulmojnë në shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme me qëllim themelimin e institucioneve shtetërore me legjitimitetin e plotë të votës së lirë të qytetarëve të Kosovës.

“Siç jemi deklaruar ditë më parë, ne presim që edhe vet pjesa e partive në pushtet, që nuk dëshiron shkatërrimin e shtetit dhe izolimin ndërkombëtar të Kosovës, të na bashkëngjitet në ruajtjen e shtetit tonë nga rreziqet e shumta që po i kanosen nga ky koalicion qeverisës i papërgjegjshëm. LDK, gjithnjë këto tri dekada që nga themelimi, ka vepruar dhe do të veprojë në mbrojtje të interesave shtetërore demokratike të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.

Protestën e Lëvizjes Vetëvendosje, partia Socialdemokrate po e sheh të ‘natyrës ekskluzive me qëllime vetjake’.

Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuçi ka thënë se nuk do të jenë pjesë e kësaj proteste.

“PSD në parim përkrah protestat si mjet për ta ushtruar pakënaqësinë, por si subjekt nuk marrim pjesë në protesta që natyrën e kanë ekskluzive e qëllimet vetjake”, ka deklaruar ajo.

Tutje, Kuçi ka theksuar se PSD është plotësisht e përkushtuar që ta luftojë korrupsionin dhe të vendos rend e ligj dhe për të njëjtën arsye ditëve në vijim do të prezantojnë strategjinë Anti-Korrupsion.

“Rastet e shumta të korrupsionit dhe nepotizmit po shkatërrojnë vendin dhe po cenojnë shtetësinë e Kosovës. PSD është plotësisht e përkushtuar që ta luftojë korrupsionin dhe të vendos rend dhe ligj siç edhe e ka dëshmuar me krijimin e komisioneve hetimore parlamentare për punësimet në ndërmarrjet publike. Për të vazhduar luftimin e këtij fenomeni të përhapur në institucione, ditëve në vijim PSD do të prezantojë strategjinë Anti-Korrupsion”, ka përfunduar ajo.

Theksojmë se në VV nuk kanë pranuar të tregojnë datë të saktë për mbajtjen e protestës së paralajmëruar.