VV pret që Supremja ta rrëzojë vendimin e PZAP-së

VV pret që Supremja ta rrëzojë vendimin e PZAP-së

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme lidhur me vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave në Prishtinë dhe Prizren.

Me këtë rast nënkryetari i VV-së, Dardan Sejdiu ka thënë se PZAP-i ka marrë vendime vendime politike dhe të pa bazuar.

“Gjatë ditës zgjedhore nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me procesin zgjedhor. Ka pasur fontanë dëshirash nga LDK-ja dhe PZAP-i ia ka plotësuar këto dëshira”, ka thënë Sejdiu.

Sjediu ka shtuar se presim që Gjykata Supreme mos ta zbatojë këtë vendim të PZAP-ës.

“Me këtë ankesë për vendimin e rinumërimit të votave në Prishtinë, kërkojmë të anulohet vendimi i PZAP-së dhe të përfundojë sa më shpejtë numërimi i votave me kusht dhe me postë, sa më shumë që këto vota qëndrojnë në korridor mundësit për manipulime janë më të mëdha”, ka thënë Sejdiu.

Ai ka shtuar se ankesë kanë paraqitur edhe për vendimin e PZAP-së për rinumërim edhe në Prizren.

“Kemi paraqitur po ashtu ankesë për vendimin e PZAP-së për Prizren. Këto dy vendime të PZAP-së, janë krejtësisht politike dhe të pabazuara”, tha Sejdiu. /Telegrafi