
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të vdekjes së Astrit Deharit, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Zvicrës.
Deputeti i kësaj lëvizjeje Sami Kurteshi, tha se dy kërkesat e avokatit të familjes Dehari drejtuar ministrisë së Drejtësisë nuk kishin pasur asnjë përgjigje derisa ai i është drejtuar zyrës ligjore të kryeministrit, e cila sipas tij i është përgjigjur me refuzim.
“Me 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill. Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, sqaroi Kurteshi, duke përmendur se si kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.
Ndërsa deputeti tjetër Driton Çaushi, tha se qeveria e refuzoi rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës përmes së cilës do të hapej mundësia për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit.
“Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të sukseshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, tha Çaushi.
Insajderi ka provuar të marrë një deklaratë nga ministrja në largim e Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Hoxha mirëpo ajo ende nuk është përgjigjur. /Insajderi.com