VV u përgjigjet kritikave të opozitës se e ka harruar idenë e bashkimit kombëtar

VV u përgjigjet kritikave të opozitës se e ka harruar idenë e bashkimit kombëtar

Lëvizja Vetëvendosje u është përgjigjur partive opozitare të cilat e kanë kritikuar se pasi kanë ardhur në pushtet “e kanë harruar idenë e bashkimit kombëtar me Shqipërinë”.

Sipas VV-së, bashkimi mund të bëhet vetëm nëse ka vullnet nga të dyja shtetet, transmeton Insajderi.

Deputetja e kësaj partie, Fatmire Kollçaku, tha se ka një gatishmëri nga kjo parti për bashkëpunim me Shqipërinë.

Tutje, ajo tha se bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira.

“Edhe vetë Kuvendi i Kosovës dhe si kryetare e Komisionit për Shëndetësi kam një gatishmëri të plotë që të kemi bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë. Bashkimi mund të ndodhë në forma të ndryshme në kuptimin e asaj që një kufi nuk është pengesë në raportet më të mira”, shtoi Kollçaku.

Në anën tjetër, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, tha se një plan për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë nuk parashihet në programin e Qeverisë.

Musliu-Shoshi thotë se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura dhe mund të funksionojnë vetëm në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku Kosova nuk ka ambasadorë.

“Nëse e lexoni pjesën e politikës së Jashtme është një paragraf i thellimit të bashkëpunimit me Shqipërinë. Unë mund t’i them edhe qeverisë dhe opinionit publik se jemi dy shtete të pavarura dhe ne mund të funksionojmë vetëm në bazë të marrëveshjeve që i kemi të nënshkruara për shfrytëzimin e selive të përbashkëta në vendet ku ne nuk kemi ambasadorë apo nuk na njohin.

Ne mund t’i shfrytëzojmë këto seli të përbashkëta. Mirëpo kjo pjesë është harruar komplet. Ne mund të bëjmë edhe iniciativa të përbashkëta me Shqipërinë por siç duket e kanë harruar që ta përfshijnë”, tha ajo për EO.

Sipas deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, thotë se deklaratat nga pozita për bashkimin kombëtar janë me qëllime populiste.

“Qoftë bashkim kombëtar, qoftë mosnjohja e flamurit e himnit të Kosovës me të gjitha këto VV-ja ka bërë një populizëm dhe e ka bërë populizëm edhe në paragrafin qe në programin e qeverisë ia ka kushtuar bashkimit kombëtar.

Kosova është përcaktuar me qenë pjesë e BE-së dhe po ashtu po kërkojmë që integrimi i Ballkanit perëndimor të shkojmë njëtrajtshëm sepse në tavolinën e bisedimeve me BE-në kemi kërkuar që integrimi i Ballkanit Perëndimor të bëhet njëjtë dhe prapë është e padrejtë që Brukseli zyrtar Serbinë e avancon duke tentuar të marrë statusin e vendit kandidat ndërsa Kosova ende nuk ka liberalizim të vizave dhe kjo është e padrejtë”, tha Kadriaj./Insajderi.com