William Walker: Ditë e trishtueshme për kosovarët

William Walker: Ditë e trishtueshme për kosovarët

Ish-ambasadori i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker, është shprehur se me shqetësim të madh e ka pritur udhëtimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për në Hagë, transmeton Insajderi.

“Shqetësohem për Kosovën”, ka thënë Walker, derisa ka komentuar zhvillimet e ditës së sotme.

Ai ka theksuar se sot “është një ditë e trishtueshme për kosovarët”, ndërsa përgjigjen pozitive të ish-krerëve të UÇK-së për ftesat e Speciales e ka cilësuar si “gjëja më e mirë që mund të ketë ndodhur”.

Walker tutje ka kritikuar Prokurorinë e Specializuar në Hagë, duke përmendur se si vartësit e Sllobodan Millosheviqit që kishin kryer krime në Kosovë, tani kanë pozita të rëndësishme udhëheqëse në Serbi dhe nuk gjykohen.

“E kam thënë këtë më herët, nuk jam ndonjë tifoz i Prokurorisë Speciale. Tashmë kanë kaluar 5 vjet dhe tashmë kemi një numër aktakuzash… Kritika ime ndaj gjithë këtij procesi është që në thelb. Janë akuzuar shtatë apo tetë udhëheqës të UÇK-së ndërkaq që ka zyrtarë në pozita të rëndësishme në Serbi që kanë kryer krime dhe nuk kanë aktakuza… Për mua nuk është proces i baraspeshuar në kuptim të ndëshkimit dhe ndjekjes penale…. Është lajm i keq për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Walker në RTK. /Insajderi.com