Wilson: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e një procesi historik

Wilson: Marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë, pjesë e një procesi historik

Nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, Damon Wilson, ka thënë se nënshkrimin e marrëveshjes ekonomike nga Kosova dhe Serbia në Uashington duhet parë si një pjesë të një procesi më të gjerë historic, i cili po zgjidhet, njofton Insajderi.

Në një intervistë për REL, Wilson thotë se pavarësisht faktit se pjesa më e madhe e marrëveshjes është për tema ekonomike, në thelb negociatat dhe marrëveshjet në këtë kontekst janë politike.

Damon thekson se tash duhet të ketë një angazhim të përbashkët të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të ofruar mbështetje, por edhe për të bërë presion te palët që marrëveshjet e arritura të gjejnë zbatim.

“Kjo nuk ishte një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por mendoj se është pjesë e një procesi të gjerë historik që po zgjidhet, dhe përfaqëson edhe një hap përpara, pasi kemi SHBA-në që punon me të dyja palët për të marrë vendime për interesin e përbashkët, të fokusuar vërtet në aspektin ekonomik, por sigurisht se ai politik është kyç”, ka thënë ai.

“Të gjitha negociatat dhe marrëveshjet e kësaj natyre, pra që kanë të bëjnë me këtë kontekst, janë në thelb politike, edhe pse temat dhe çështjet janë me fokus ekonomik, vendimi që merret për të lëvizur përpara me ato është politik. Mendoj se është gjë e mençur nëse shohim sesi një marrëdhënie më normale në rajon mund të mund të prodhojë mundësi më të mira ekonomike, zhvillim dhe vende pune. Mendoj se sa më shumë që njerëzit në rajon të mund të shohin përfitimet ekonomike, atëherë kjo krijon një ambient më të favorshëm për të marrë vendime politike”, ka shtuar tutje Wilson. /Insajderi.com