Windows 7 nga viti i ardhshëm nuk do të përditësohet më

Windows 7 nga viti i ardhshëm nuk do të përditësohet më

Microsofti do të përfundojë mbështetjen për Windows 7 vitin e ardhshëm, duke lënë miliona përdorues në rrezik nga viruset.

Gjiganti i teknologjisë nuk do të ofrojë përditësime të sigurisë që synojnë përdoruesit shtëpiakë të këtij sistemi operativ të famshëm nga janari i vitit 2020.

Bizneset do të duhet të paguajnë një çmim për vazhdimin e mbështetjes përtej kësaj date dhe mungesa e përditësimeve do të lënë kompjuterët personalë të hapur ndaj shkeljeve të sigurisë dhe viruseve.

Aktualisht Windows 7 është ende i instaluar në 42.8 për qind të kompjuterëve personalë në mbarë botën, ndërsa Windows 10 është 45.5 për qind, sipas kompanisë analitike Net Applications, transmeton ksp.

Megjithatë, deri në vitin e ardhshëm Microsofti do të shtyjë përditësime kritike të sigurisë, por sistemet operative të vjetra ende janë në rrezik të shfrytëzimit të sigurisë sesa versionet më të reja.

Kompania prezantoi Windows 7 në vitin 2009, por përfundoi mbështetjen kryesore për të në 2015-ën.

Përdoruesit e Windows 7 do të inkurajohen që të kalojnë në Windows 10 gjatë vitit të ardhshëm.

Gjithasht, Microsoft ka paralajmëruar se ata që ende përdorin versionin e vjetër pas afatit të fundit jo vetëm që do të jenë më të ndjeshëm ndaj viruseve, por po ashtu do të mungojë edhe mbështetja për klientët.