Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike

Xhaferi: Zgjedhja ime është fillimi i fundit të krizës politike

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, shfaqi shpresën së presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, do t’i japë mandatin për formimin e qeversë liderit të Lidhjes Social-Demokrate, Zoran Zaev, por shtoi se qeveria mund të zgjidhet edhe pa të, me propozim të shumicës parlamentare.

Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Beta, Xhaferi tha se shkuarja e VMRO DPMNE-së në opozitë është realitet dhe se zgjedhja e tij në krye të parlamentit është fillimi i fundit të krizës politike.

“Zgjedhja e kryetarit të kuvendit është pikëfillimi i përfundimit të kësaj krize politike, e cila ka arritur kulmin me hyrjen e qytetarëve në Parlament, më 27 prill. Mendoj se ky ka qenë kulmi i seriozitetit të situatës dhe se të gjithë jemi vetëdijesuar si bartës të funksioneve politike dhe shtetërore”, tha Xhaferi.

I pyetur nëse pret që Ivanov sërish të bëjë përpjekje për të shmangur dorëzimin te Zaevi të mandatit për formimin e qeverisë së re, Xhaferi tha se dëshron që Ivanov ta bëjë atë brenda kohës së përcaktuar me Kushtetutë, por nuk e përjashtoi edhe të kundërtën.

“Në atë rast, qeveria mund të zgjidhet me propozim të shumicës së deputetëve”, tha Xhaferi dhe shtoi se është i gatshëm edhe për këtë variant.

“Duhet të jem i gatshëm për çdo variant si kryetar i parlamentit dhe, brenda kompetencave që kam, të veproj me kërkesën e shumicës së deputetëve”, tha Xhaferi.

Sipas tij, zgjedhja e qeverisë me kërkesën e shumicës parlamentare është tërësisht legjitime, sepse, siç tha, Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës parashohin juridiksionin e parlamentit për zgjiedhjen e qeverisë dhe asnjë institucion tjetër nuk mund ta parandalojë.