“Edhe Graniti do ta këndojë himnin kombëtar”

Granit Xhaka do të këndojë Himnin e Flamurit para ndeshjes Shqipëri-Zvicër. Për këtë është i sigurt Taulant Xhaka, i cili në konferencë për shtyp ka treguar se vëllai i cili përfaqëson Zvicrën, nuk mund t’i fshihet origjinës së tij.

“Edhe Graniti do ta këndojë himnin kombëtar”

Ai ka thënë se himnin shqiptarë të dy vëllezërit e kanë mësuar nga babai i tyre.

“Babai ma ka mësuar himnin që fëmijë. Pastaj unë kam shkuar katër vite në shkollë shqiptare dhe e kam mësuar edhe atje. Himnin e Flamurit e dimë të gjithë në familje, edhe Graniti”, ka thënë futbollisti i Baselit.

Taulanti tregon edhe për emocionet që do t’i ndiej ai dhe vëllai i tij në takim ndaj Shqipërisë.

“A do ta këndojë ai para ndeshjes brenda vetes? Besoj se po. Është normale, pasi edhe Graniti e ka gjakun shqiptar, nuk mund ta mohojë. Normalisht që brenda vetes, edhe Graniti, por edhe të gjithë shqiptarët do ta këndojnë”, theksoi mesfushori i Shqipërisë.

Ndryshe nga disa lojtarë kosovarë që kanë hedhur dyshime mbi të ardhmen e tyre me Shqipërinë, Xhaka duket se do të vazhdojë të mbajë veshur fanellën kuqezi.

“E gjithë familja është nga Kosova, ndjehemi shqiptarë. Është kënaqësi dhe krenari që luaj për Shqipërinë. Ishte një ëndërr të luaja për Shqipërinë. E kam ndjekur çdo ndeshje të saj që i vogël, si tifoz”, deklaroi Taulant Xhaka.

Xhaka në këtë mënyrë ka lënë të kuptohet se nuk do ta ndryshojë kombëtaren shqiptare me atë kosovare. /Insajderi.com