Xhandarmeria serbe në territorin e Kosovës, KFOR-i thotë se kishin patrullime të përbashkëta (VIDEO)

Xhandarmeria serbe në territorin e Kosovës, KFOR-i thotë se kishin patrullime të përbashkëta (VIDEO)

Nënkryetari i komunës së Kamenicës, Faton Jakupi, ka njoftuar se ka kontaktuar me KFOR-in për të kuptuar më shumë rreth lajmit të së premtes dhe videos ku shihen trupa të xhandarmerisë serbe në territorin e Kosovës, saktësisht në fshatin Karaçevë të Kamenicës, njofton Insajderi.

Siç njofton Jakupi në llogarinë e tij në Facebook, KFOR-i e ka informuar se me shtatë gusht, dje, e premte, kanë pasur patrullime të përbashkëta, KFOR-i Amerikan, ai Turk dhe pala serbe.

“Menjëherë kam kontaktuar me KFOR, konkretisht me LMT-rajoni Lindje dhe nga ta u informova se sot me datë 07.08.2020 paskan pas patrullime të përbashkëta : KFOR-i Amerikan, Turk dhe pala serbe”, ka shkruar Jakupi në Facebook.

Megjithatë, ai thotë se nuk ka marrë përgjigje se pse u lejuan serbët të kalojnë në territorin e Kosovës.

“Po pse është lejuar që xhandarmëria serbe të futet në këtë pjesë të territorit të Kosovës ende nuk kam marrë përgjigje nga KFOR”.

Ai e ka cilësuar shqetësuese atë që ka ndodhur dhe ka paralajmëruar edhe takim të përbashkët me KFOR-in që të mos ndodhë më diçka e ngjashme.

“Shqetësuese janë këto patrullime edhe nëse janë të përbashkëta. Nga kjo që u pa sot, kërkova takim urgjent me KFOR për të diskutuar dhe kërkuar që mos të përsëriten më këso ngjarjesh”./Insajderi.com