“Xhihadisti” i parë që mund të ekstradohet në Amerikë

“Xhihadisti” i parë që mund të ekstradohet në Amerikë

Pas nënshkrimit të marrëveshjes për ekstradim mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, personi i parë i kërkuar nga FBI para 5 viteve mund të ekstradohet tash në SHBA.

Bajram Asllani, 30 vjeçar, siç raporton Reuters, mund të jetë i pari i kërkuar nga FBI që do të ekstradohet në Amerikë.

Asllani u arrestua në Mitrovicë 5 vite më parë teksa autoritetet amerikane e kishin kërkuar ekstradimin e tij për ta nxjerrë në gjyq në Karolinën e Veriut, nën akuzat si anëtar i një grupi që synonte të organizonte një sulm kundër bazës së marinsave amerikanë në Kuantiko të Virxhinias.

Sipas prokurorëve amerikan, Bajram Asllani, i njohur edhe si Ebu Hatab, ka pasur kontakte të vazhdueshme me anëtarët e tjerë të grupit për të krijuar një bazë operacionesh në Kosovë, raporton Insajderi.

Tetë vetë, ishin akuzuar në Amerikë për këtë rast dhe janë në proces gjyqësor. Mes të akuzuarve është edhe Hysen Sherifi, një shqiptar nga rajoni i Gjilanit.

Por një Gjykatë në Mitrovicë, e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për Policinë dhe Drejtësinë, kishte refuzuar kërkesën e Shteteve të Bashkuara, për ekstradimin e Asllanit. Zyra e EULEX-it, kishte thënë se gjykatësit nuk kanë gjetur prova të mjaftueshme për të justifikuar ekstradimin e të dyshuarit./Insajderi.com