Ylli i Përfaqësueses së Kosovës kërkon mbështetjen e tifozëve: Na duhet përkrahja juaj

Ylli i Përfaqësueses së Kosovës kërkon mbështetjen e tifozëve: Na duhet përkrahja juaj

Rrahmani pret vetëm fitore të hënën mbrëma në “Adem Jashari” kundër Letonisë.

Me fushatën kualifikuese të Botërorit që u arkivua me rezultate katastrofike, Kombëtarja e Kosovës në futboll do të kërkojë të fitojë pikë të vyera në renditjen e FIFA-s.

Përballë këtë radhë është Letonia, në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë, një 90-minutësh të cilin lojtarët kërkojnë ta mbyllin me sukses.

Mbrojtësi i Dinamos së Zagrebit, Amir Rrahmani kërkoi nga skuadra të shfrytëzojnë pikat e dobëta të balltikëve.

“Besoj që kemi dhënë maksimumin në çdo stërvitje dhe jemi përgatitur që të shfaqemi sa më mirë kundër Letonisë”, tha fillimisht Rrahmani për Super Sport.

“Mendoj se jemi të gatshëm, sepse e dimë si luajnë ata. Duhet t’i shfrytëzojmë sa më mirë pikat e dobëta të tyre”, shtoi ai.

“Të them të drejtën na ka munguar të luajmë në vendin tonë, edhe pse natyrshëm që edhe Shqipëria është vendi ynë. Por këtu janë njerëzit që e duan më shumë përfaqësuesen e Kosovës. Besoj se do t’i shpërblejmë nesër me fitore”, theksoi mes tjerash Amir Rrahmani.

“Të gjithë në Mitrovicë nesër, na duhet përkrahja juaj”, ka shkruar Rrahmani në rrjetin social Facebook. /Insajderi