Ymer Shahini e pranon fajësinë për mashtrimin disa milionësh, para gjykatës amerikane

Ymer Shahini e pranon fajësinë për mashtrimin disa milionësh, para gjykatës amerikane

Ymer Shahini, i cili para pak javësh është ekstraduar nga Kosova në Amerikë, është deklaruar fajtor para drejtësisë amerikane për konspiracion mashtrues të sigurimeve, për mashtrim të investitorëve dhe aksionarëve.

Geoffrey S. Berman, prokuror amerikan, ka njoftuar të martën se Ymer Shahini e ka pranuar fajin në lidhje me rolin e tij në një skemë për mashtrimin e aksionarëve të një kompanie aksionare dhe investitorëve.

“Ymer Shahini tashmë e ka pranuar rolin e tij në një mashtrim me shumë miliona dollarë. Ai me vetëdije ka shërbyer si person i rremë për të fshehur pronësi fitimprurëse të aksioneve, i cili ka ndihmuar në një skemë mashtrimi, me të cilën janë vjelë dhjetëra miliona dollarë përmes përfitimit të paligjshëm”, ka deklaruar Berman.

Shahini sipas aktakuzës dyshohet se nga viti 2009 deri në vitin 2011, bashkë me të pandehurit Jason Galanis, John Galanis, Derek Galanis, Gary Hirst dhe Gavin Hamels, janë përfshirë në një skemë për mashtrimin e aksionarëve në një kompani aksionare, të quajtur “Gerova Financial Group, Ltd.” dhe ndaj investitorëve përmes marrjes së kontrollit sekret ndaj aksioneve me vlerë milionëshe të kompanisë “Gerova” dhe më pas përmes manipulimit të tregut për aksione në atë mënyrë që të pandehurit bënë që aksionet e tyre, të mbajtura në mënyrë të fshehtë, të shiten.

“Si pjesë e skemës, të pandehurit në mënyrë mashtruese kanë gjeneruar kërkesa për aksionet e “Gerova”-s përmes dhënies së ryshfetit ndaj këshilltarëve për investime për të blerë për llogari të klientëve aksionet e “Gerova”-s, që ishin shitur nga të pandehurit, duke ua mundësuar në këtë mënyrë të pandehurve që të shesin nga kjo skemë dhe të fitojnë miliona dollarë përmes përfitimit illegal”, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se si pjesë e skemës për mashtrim, Jason Galanis e mori kontrollin e tillë ndaj kompanisë “Gerova” në mënyrë që të ketë mundësi ta fusë “Gerova”-n në transaksione të planit të tij dhe për përfitime të tij, përfshirë sigurimin e aksioneve të “Gerova”-s. Jason Galanis e fitoi këtë kontroll pa e identifikuar veten si zyrtar apo drejtor i “Gerova”-s për t’iu shmangur ndalimit të Komisionit për Sigurime dhe Këmbime, që ia ndalonte mbajtjen e një pozite të tillë në kompani aksionare.

“Në mesin e mënyrave dhe metodave të tjera, Jason Galanis, me asistencën e Gary Hirst-it, bëri që më shumë se pesë milionë aksione të kompanisë “Gerova”, të cilat përbënin gati gjysmën e qarkullimit publik të kompanisë dhe të cilat ishin për qëllim të përfitimit të Jason Galanis-it, të lëshohen dhe të mbahen në emrin e Ymer Shahinit, i cili me vetëdije shërbeu si i emëruar i jashtëm për Jason Galanis-in. Shahini, Jason Galanis, John Galanis, Derek Galanis dhe Hirst kuptuan që qëllimi i grantit me aksione ndaj Shahinit ishte që të fshehet interesi i pronësisë së Jason Ganalis-it në aksione dhe të shmangen rregulloret e Komisionit për Sigurime dhe Këmbime për lëshimin e aksioneve të paregjistruara”, thuhet në aktakuzë.

Shahini, 49 vjeç, është i dyshuari i parë që u ekstradua në Shtetet e Bashkuara si pjesë e marrëveshjes për ekstradim mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës, e cila hyri në fuqi më 13 qershor 2019.

Pas pranimit të fajsisë për akuzën e konspiracionit për mashtrim me sigurime, mund të dënohet me dënim maksimal prej pesë vjetësh burgim. Shahini do të dënohet nga gjykatësi Castel më 12 dhjetor 2019, në orën 14 e 15 minuta.

Dënimi maksimal statutor është i përshkruar nga Kongresi dhe është dhënë këtu vetëm për qëllime informuese, sepse çfarëdo dënimi i të pandehurit do të caktohet nga gjykatësi.

Z.Berman e vlerësoi larg punën e Shërbimit Inspektues Postar të Shteteve të Bashkuara dhe Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) dhe e falënderoi Komisionin për Sigurime dhe Këmbime për ndihmën e tij.

Ky rast është duke u trajtuar nga Taskforca kundër Mashtrimit në Sigurimeve dhe Mallra. Prokurorët amerikanë Brian Blais, Rebecca Mermelstein dhe Elizabeth Espinosa janë të angazhuarit e prokurorisë.