Ymeri: Arrestimi i deputetëve të VV-së u bë me urdhra politikë

Ymeri: Arrestimi i deputetëve të VV-së u bë me urdhra politikë

Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka quajtur “politik” arrestimin e tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje derisa po hynin në Kuvend.

Ymeri tha se kjo është “vazhdimësi e përndjekjes” së Vetëvendosjes.

“Tre deputetë u arrestuan në mënyrë brutale nga Policia me urdhra politikë. Ata ishin duke ardhur në seancë për të marrë pjesë. Kjo është vazhdimësi e një përndjekjeje masive dhe gjithëpërfshirëse të Lëvizjes Vetëvendosje me dënimin e katër aktivistëve tanë pa kurrfarë prove e dëshmie e pastaj me vazhdimin e këtij gjyqi të padrejtë ndaj deputetëve tanë vetëm për shkak se ata e mbrojtën sovranitetin e Republikës dhe integritetin territorial të vendit”, tha Ymeri

“Po duan ta përndjekin Lëvizjen Vetëvendosje për shkak se po duan që vullneti i tyre politik që është vullnet i krimit dhe korrupsionit të ngadhënjejë në Republikën e Kosovës. Natyrisht nuk do ta lejojmë një gjë të tillë”, tha Ymeri.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj janë arrestuar pas fletarrestit të lëshuar nga gjykatësi Beqir Kalludra për rastin e gazit lotsjellës.