Ymeri: Dënimet e larta të aktivistëve janë kryekëput politike

Ymeri: Dënimet e larta të aktivistëve janë kryekëput politike

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri gjatë një konference të jashtëzakonshme për media ka thënë se dënimi që sot Gjykata Themelore e Prishtinës shqiptoi për aktivistët e Vetëvendosjes, është një dënim ‘kryekëput politik’.

“Dënimi i sotëm i katër aktivistëve të Vetëvendosjes si dhe pastaj burgosja e tre prej tyre, nga Gjykata Themelore e Prishtinës dëshmoi që ky rast është politik. Dënimet e larta pa pasur asnjë dëshmi, e zhvendos Gjykatën nga parimet dhe procedurat e lgijit te dënimet politike”, ka thënë Ymeri  pas shpalljes së vendimit nga Gjykata.

Ky vendim nuk sjell drejtësi dhe nuk e zbardh rastin, por synon ta mbuloj vdekjen e Astrit Deharit ka thënë Ymeri.

Ndërkohë deputeti i kësaj Lëvizje, Dradan Molliqaj ka thënë se shpallja e vendimit pikërisht sot, në ditën e mbylljes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale që do të mbahen të dielën, ka qenë për ta dëmtuar lëvizjen Vetëvendosje.

“Për vendimet e tilla, prej momentit të seancës 3 deri në 15 ditë ka afat gjykata ta shpall vendimin. Pse gjyqtari nuk e ka lënë për të hënën, krejt këto janë politike”, ka thënë Molliqaj

Ajo që unë mund të iu them është se ky rast ka me përfundu me pafajësi, ka thënë Molliqaj.

Katër aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje u dënuan sot me gjithësej 21 vjet e 6 muaj burg.