Ymeri: LVV u zotua për skema sociale e s’tregoi si do të realizohen ato

Ymeri: LVV u zotua për skema sociale e s’tregoi si do të realizohen ato

Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, deklaron se kjo parti gjatë fushatës elektorale ka dhënë shumë zotime për skemat sociale, por nuk ka treguar sesi do të realizohen e financohen ato, transmeton Insajderi.

Sipas Ymerit, qeveria e ardhshme duhet të përqendrohet në zvogëlimin e hendekut në mes të varfërve dhe të pasurve, në procesin më të mirë të rishpërndarjes se pasurisë, në krijimin e kushteve më të mira të punëtorëve në Kosovë, dhe veçanërisht duhet të fokusohet në krijimin e më shumë vendeve të punës, e që ju jepet përparësi më shumë grave dhe të rinjve.

“Fatkeqësisht deri tani nuk kam parë që Lëvizja Vetëvendosje ka tregu sesi do të financohen këto skema, pra i ka dhënë si zotime, premtime të fushatës por nuk ka tregu saktë sesi do të realizohen këto, dhe mendoj që nuk kemi ndonjë analizë, të paktën të efekteve që këto do t’i arrijnë. Pra, si premtime janë shumë të mira nëse realizohen dhe kur realizohen pastaj do ta shohim cili është efekti real në terren, për shembull nëse flasim për këtë pushimin prindëror i cili siç është shpjeguar ka mundësi të ndahet në dysh në mes të nënës dhe babait, mendoj se kjo është e domosdoshme, është jashtëzakonisht e rëndësishme që barra për rritjen e përkujdesën ndaj familjes të ndahet mes dyve, pra të mos kemi diskriminim brenda familjes, siç e kemi aktualisht”, ka thënë ai për EO.

Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të miratoj nismën për Marrëveshjen e Kredisë me Bankën Evropiane për Investime. Sipas qeverisë, kjo marrëveshje është për financimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19.

Ymerit thotë se marrja e kredive nuk është shqetësim për vendin, por se ku shpenzohen ato para është me rëndësi të dihet.

“Nuk gjendet vetëm Kosova në krizë ekonomike por i tërë globi e veçanërisht hemisfera perëndimore. Në këtë drejtim konsideroj që krizat e thella ekonomike, pavarësisht se në cilin vend dhe në cilën epokë ndodhën ato, nuk mund të përballohen pa pasur një stimulim financiar që vjen nga jashtë, e ky stimulim financiar vjen nga institucionet publike në formë të kredisë që merret nga bankat tjera ose në forma tjera, mund të jetë edhe borxh i brendshëm”, tha ai.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës tutje u shpreh se deri më tani nuk ka pasur ide transformative të ekonomisë nga asnjë parti politike.

“Deri tash fatkeqësisht nuk kemi parë se ka pasur një ide transformative të ekonomisë, fatkeqësisht as nga VV-ja në 50 ditë e qeverisjes. Gjithsesi nuk mund ta gjykojmë se ka qenë shumë shkurt dhe nuk mund të flasim shumë për atë periudhë, por mendoj që tashmë meqenëse nuk ka nevojë për koalicion me një parti tjetër, që VV-ja mund ta bëjë qeverinë e vetme në bashkëpunim me përfaqësuesit e komuniteteve jo serbe, atëherë e ka më të lehtë të qeverisë sipas idesë origjinale të saj dhe nëse këtë nuk e bën VV-ja mendoj se e humb një shans të rëndësishme për t’i ndërmarr disa veprime që do të na transformonin si ekonomi dhe rrjedhimisht edhe si shoqëri”, tha ai. /Insajderi.com