Ymeri tregon pse Gjykata e hoqi fletarrestin ndaj Albin Kurtit

Ymeri tregon pse Gjykata e hoqi fletarrestin ndaj Albin Kurtit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se fletarrestim për Albin Kurtin është lëshuar nga paniku për rritjen e partisë dhe është pezulluar gjithashtu nga frika e madhe për fitoren e partisë që ai e drejton.

“Sot u konfirmua edhe zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, se ka pezulluar fletarrestin për kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin. Ashtu siç e shpjeguam edhe dje, në prezantimin e kandidatëve tanë për deputetë, Gjykata ka dhënë fillimisht një urdhër politik për të arrestuar Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, dhe tashmë, sërish në mënyrë politike, e ka pezulluar këtë urdhër”, ka shkruar Ymeri.

Qytetarët e Kosovës sipas tij nuk kishin nevojë për dëshmi të reja që vërtetojnë se “sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nga “Klani Pronto” i PDK-së dhe bashkëpunëtorët e tij në LDK, por ja që rritja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka nxjerr pushtetin edhe një herë zbuluar”.

“Vendimet e kësaj gjykate nuk kanë asnjë bazë të vetme juridike. Fletarresti për Albin Kurtin u lëshua nga paniku i tyre për rritjen tonë, dhe u pezullua nga frika e madhe e tyre për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 11 qershor. Tashmë gjërat janë të qarta për të gjithë, dhe nuk ka klan që e ndal mobilizimin e gjerë qytetarë që po e sjell fitoren”, ka shkruar ai.