Zaev: Bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk është ide e mirë

Zaev: Bashkimi Kosovë-Shqipëri nuk është ide e mirë

Bashkimi mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk do të ishte ide e mirë, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Sipas tij, bashkimi kombëtar mes këtyre dy vendeve, nuk është e ardhmja që e duan popujt në rajon sepse “e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian”.

“Një Evropë pa kufij në të cilën njerëzit bashkëpunojnë dhe komunikojnë dhe jam i bindur se këto ide janë nga individët që janë pakicë dhe s’kanë të ardhme”, ka thënë Zaev në një intervistë për televizionin “N1”.

Ndërsa, lidhur me raportet Kosovë-Serbi, ai ka pohuar se të dy vendet kanë sfidat e tyre përballë, por ato mund të zgjidhen përmes dialogut e miqësisë.

Sa i përket përmirësimit të raporteve mes shteteve në rajon lideri i Maqedonisë ka shtuar se Shkupi po krijon marrëdhënie të mira me kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën, presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministren Ana Bërnabiq duke u munduar të promovojë të gjitha rrugët e bashkëpunimit mes maqedonasve, shqiptarëve e serbëve.

Në këtë pikë ka shtuar se pret që edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, t’u bashkohet liderëve në bisedimet “për të mirë të të gjithëve”, pasi të marrë udhëheqjen e shtetit të Kosovës pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit./Insajderi.com