Zaev dhe Ahmeti me kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale

Në Shkup u takuan kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti për të biseduar në lidhje me mundësinë e daljes në zgjedhjet presidenciale të 21 prillit, me një kandidat të përbashkët. Një emër i pranueshëm për të dyja partitë do të kërkohet deri para fundit të javës që vjen.

Zaev dhe Ahmeti me kandidat të përbashkët në zgjedhjet presidenciale

Partnerët e koalicionit qeveritar në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti u ulën të hënën në tryezë në kërkim të një kandidati të përbashkët, apo konsensual, siç parapëlqen ta quajë partia shqiptare, për në zgjedhjet e pritshme presidenciale. Por, bisedimet kanë qenë konsultative, sipas zotit Ahmeti, dhe nuk është diskutuar për emrat e mundshëm të kandidatëve, lajmëron VOA.

Lidhja Social Demokrate e zotit Zaev ka shpallur një konkurs, nga ana tjetër, për garën presidenciale, ndërkohë që në opinionin publik janë përfolur emrat e disa ministrave apo të eksponentëve partiakë si kandidatë me mundësi të mëdha për të hyrë në garë. Ata janë: ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov, ai i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, bashkërenduesi kombëtar për në NATO, Stevo Pendarovski dhe Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, BDI-ja para pak javësh ka lakuar emrat e ish-ministrit të parë të jashtëm Denko Malevski, të akademikëve Vllado Popovski dhe Luan Starova dhe të ambasadorit Llazar Elenovski për kandidatë të përbashkët.