Zaev dorëheqje nga posti i deputetit – Vlon situata në BDI

Zaev dorëheqje nga posti i deputetit – Vlon situata në BDI

Kandidati për kryeministër në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dha dorëheqjen nga ulësja e deputetit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, njoftoi kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, njofton Insajderi.

“Deputetit Zoran Zaev nuk i vlen mandati i deputetit sepse ai ishte në listën e kandidatëve të zgjedhur, KSHZ-ja duhet të informojë Kuvendin për të verifikuar mandatin e tij të ri”, tha Xhaferi.

Kuvendi verifikoi gjithashtu mandatin e deputetit të ri Bedri Fazli nga BDI me 61 vota “për”, një deputet votoi kundër dhe dy abstenuan. Më herët, Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Florin Besimit, të cilën ai e paraqiti pas reagimit të Komisionit për Anitkorrupsion, sepse vëllai i tij Fatmir Besimi duhet të nominohej për Ministrin e Financave.

Në ndërkohë, deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti gjatë hyrjes në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka thënë se ka vërejtjet e tij për një pjesë të ekzekutivit, por se megjithatë do të votojë për qeverinë e re.

“Kemi debatuar thellësisht dhe atëherë kur absolvohet debati dhe konsultimi për mu fjala e fundit është e kryetarit të partisë, Ali Ahmeti. Pra, nuk du që unë të kontribuoj për rrënimin e një qeverie e cila ka bekimin e partnerëve tanë, SHBA-së dhe BE-së. Në demokraci është vlerë demokratike të luftosh për qëndrimet e tua por mandej mbisundon qëndrimet e shumicës kur të sjellën duhet të respektohen. Pra do votoj qeverinë me vërejtjet që kam”, ka thënë Mexhiti.

Edhe pse nënkryetari i partisë, Izet Mexhiti, e pranoi se brenda BDI-së ka pasur pakënaqësi lidhur me propozimit e BDI-së për ministra në ekzekutivin e ri, ish ministri i Arsimit, Arbër Ademi, mohoi të ketë pasur dallime brenda BDI-së.

“Nuk ka pasur dallime që të ketë tejkalim të dallimeve. BDI gjithmonë është zhvilluar dhe rritur në frymën demokratike dhe një debati të frytshëm të brendshëm, kështu që vazhdojmë
më tutje me agjendën e paracaktuar”, ka thënë Ademi. /Insajderi.com