Zaev: Në zgjedhje qytetarët u deklaruan për NATO-n dhe BE-në

Zaev: Në zgjedhje qytetarët u deklaruan për NATO-n dhe BE-në

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, sot realizoi takim me ambasadoren e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Sibil Zuter Tehada, njofton Insajderi.

Në takim u bisedua për më shumë tema aktuale, siç janë gjendja politike në Maqedoninë e Veriut pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, me ç ’rast u vlerësua se “zgjedhjet u mbajtën në atmosferë demokratike dhe se qytetarët treguan kulturë të lartë politike, duke u deklaruar për realizimin e prioriteteve kryesore, NATO-n dhe Bashkimin Evropian”.

“Në takim u vlerësua se me mbajtjen e zgjedhjeve demokratike u përcoll mesazh pozitiv në nivel rajonal dhe se Qeveria edhe në mandatin e ardhshëm katërvjeçar do të vazhdojë drejt përmirësimit të gjendjes ekonomike të qytetarëve dhe modernizimit të shtetit”, thonë nga Qeveria maqedonase.

Kryeministri Zaev dhe ambasadorja e Zvicrës, Tehada e vlerësuan bashkëpunimin bilateral mes dy vendeve si të shkëlqyer, duke shprehur gatishmërinë e përbashkët për vazhdimin e realizimit të projekteve të përbashkëta me rezultate edhe më të mëdha në interes të qytetarëve dhe prosperitetin e vendit./Insajderi.com