Zbardhen detaje të bisedës mes Isa Mustafës dhe kryeministres së Serbisë

Zbardhen detaje të bisedës mes Isa Mustafës dhe kryeministres së Serbisë

Një ditë pas takimit kokë më kokë që kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa zhvilloi me homologen e tij nga Serbia, Ana Bërnabiqin, zbardhen detaje të bisedës së shkurtër.

Ka qenë Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Mustafa, ai që ka treguar se çfarë u diskutua në atë takim.

“Sa kam marrë vesh nga kryeministri, është biseduar për temat e bashkëpunimit rajonal, për implementimin e marrëveshjeve të Triestes dhe çështjet e mbetura të Traktatit të Komunitetit të Transportit”, ka thënë Havolli për koha.net.

“Komunikimi me të gjithë kryeministrat ka qenë i relaksuar dhe pozitiv”, ka shtuar ai.

Mustafa ka takuar në mesin e kryeministrave të tjerë të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe homologen e tij nga Serbia, Ana Bërnabiq, në kuadër të takimit joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur dje në Durrës.

Bërnabiq, që zëvendësoi Aleksandar Vuçiqin në krye të ekzekutivit, i cili la këtë post për t’u bërë president i vendit, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ishte takimi i parë i kryeministres së Serbisë me kryeministrin e Kosovës.