Zbriti çmimin e librave për ta paguar qiranë –  Qytetarët presin para shtëpizës së Florim Beqirit

Zbriti çmimin e librave për ta paguar qiranë –  Qytetarët presin para shtëpizës së Florim Beqirit

Një postim i librashitësit, Florim Beqiri u bë hit nëpër rrjete sociale. Ai uli çmimin e librave në 1 euro, për ta paguar qiranë mujore që sipas tij është 320 euro.

Ai kërkoi nga të gjithë qytetarët që të shkojnë dhe t’ia blejnë librat, në mënyrë që autoritetet mos t;ia marrin shtëpizën.

“Qytetar të nderuar ,ju të gjithë që e doni librin. Autoritetet na kanë detyruar të paguajmë 320 € në emër të qiras mujore për shfrytëzimin e shtëpizave të librit. Afati i fundit është nesër në të kundërtën më mirret shtëpiza e librit(vendi im i vetëm që gjenerojë të ardhura për familje) Unë kam ofruar një zbritje të librit me çmim vetëm 1 €uro. Kam nevojë të shes edhe 220 libra për të arritur shumën e kërkuar. Ju bëjë thirrje që nesër mundësisht të bleni nga një libër edhe nese nuk e keni planifikuar”, ka shkruar Beqiri në facebook.

Për këtë kishte reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ai e kishte thirrur në takim librashitësin, për të diskutuar rreth kësaj teme.

E sot në mëngjes një numër i madh i qytetarëve po presin para shtëpizës së Florim Beqirit të blejnë libra, raporton Insajderi.

Përkundër se ai ende nuk e ka hapur, qytetarët shprehen të interesuar për blerjen e librave.

Disa nga ta i kanë thënë Insajderit se kanë dalur për të blerë libra, pas lajmeve të djeshme nëpër media.

Shpend Ahmeti ndryshe, dje kishte bërë të ditur në facebook se qeraja mujore përë shfrytëzimin e këtyre shtëpizave është 40 euro.

“Pas shumë viteve në rrugë, para dy viteve kemi ndërtuar kiosqet dhe kemi strehuar librashitësit në shesh. Ju kemi dhënë në shfrytëzim atyre që me vite qëndruan aty. Qeraja mujore është 40 euro, pak më shumë se një euro në ditë sipas rregullores komunale për shfrytëzimin e hapësires publike”, kishte shkruar Ahmeti. /Insajderi.com