Zbutja e presidentit karshi formimit të ushtrisë

Zbutja e presidentit karshi formimit të ushtrisë

E nisi me deklarata të mëdha rreth transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, por më vonë, pas takimeve të njëpasnjëshme me ndërkombëtarët, filloi t’i zbuste ato.

“Kosova nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe”, thoshte presidenti Hashim Thaçi kur fliste për themelimin e ushtrisë. “Prej  vitit 2014 jemi duke e lutur Listës Serbe”, deklaronte ai.

Presidenti zgjodhi që nismën e tij ta bënte publike në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së, më 5 mars gjatë fjalimit të tij para pjesëtarëve të FSK-së.

“Në ditët në vijim, shumë shpejt, brenda kompetencave kushtetuese që kam, do të angazhohem që transformimi FSK-së, themelimi i Ushtrisë së Republikës së Kosovës të bëhet realitet”, kishte deklaruar ai.

Më 7 mars presidenti ia dorëzoi kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, Projektligjin 05/L-156 për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pas kësaj procedure, Thaçi thoshte shumë shpejt do të procedohet në Qeveri dhe Kuvend ky Projektligj. Por matematikat dolën ndryshe.

Reagimet e partnerëve ndërkombëtarë

Shumë shpejt nisën reagimet e partnerëve ndërkombëtarë kundër nismës së presidentit Thaçi që ushtria të themelohet me ligj dhe jo përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Insajderin kishte thënë se kjo nuk ka qenë ajo që e ka pritur ShBA-ja.

“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, kishte thënë ambasadori amerikan Delawie.

Sipas ambasadës, ky transformim duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës të përfaqësueseve që reflekton demokracinë shumetnike të Kosovës.

Nuk vonoi shumë, erdhi edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Nëse mandati i FSK-së evoluon tani në mënyrën e propozuar, do t’i duhet NATO-s që ta vlerësojë nivelin e përkushtimit të saj posaçërisht në fushën e ndërtimit të kapaciteteve”, kishte deklaruar ai.

Këto reagime e shtynë presidentin Thaçi t’ia niste një letër sqaruese Sekretarit të NATO-s, me deklarata më të zbutura, duke i thënë se procesi nuk do të jetë i njëanshëm.

“Duke shprehur bindjen se çështja e transformimit të FSK-së është rritur pa nevojë, sekretarit Stoltenberg ia rikonfirmova se i tërë procesi do të jetë transparent, i koordinuar dhe jo i njëanshëm”, citohet t’i ketë thënë Thaçi Sekretarit të NATO-s.

Nuk munguar edhe reagimet e shteteve aleate të Kosovës kundër iniciativës së Thaçit për mënyrën e transformimit të FSK-së përmes ligjit.

Premtimi për dorëheqje dhe zbutja e deklaratave

Pas reagimeve të njëpasnjëshme, presidenti nisi t’i zbusë deklaratat e tij rreth transformimit me Ligj të FSK-së në ushtri.

Nga nisma e përshpejtuar, Thaçi thoshte se ky duhet të jetë proces gradual dhe gjithëpërfshirës.

“Ajo që është me shumë rëndësi është se kemi qëllimin e njëjtë, objektiven e njëjtë që Kosova të ketë Forcat e veta të Armatosura, të jetë një proces gradual, gjithëpërfshirës, me praninë e të gjitha komuniteteve, përfshirë këtu edhe serbët”, deklaronte Thaçi.

Edhe pse thoshte se ‘Kosova nuk mund të jetë peng i Listës Serbe’, kësaj të fundit ia dha është një shans.

“Dakordohemi plotësisht që ky proces të ndodh përmes ndryshimeve kushtetuese”, vazhdonte ai.

“Tani edhe koha që ka mbetur është një mundësi e re, në veçanti pas kthimit të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, që të diskutojmë me ta, t’i dëgjojmë sërish shqetësimet në mënyrën më serioze të mundshme, vullnetin e tyre dhe që të gjithë të jenë pjesë e këtij procesi, pra gjithëpërfshirës vendor dhe partneritetit të gjithëmbarshëm ndërkombëtarë në veçanti të ShBA-së dhe NATO-s”, precizonte presidenti.

Presidenti Thaçi premtonte se, nëse nuk kalon në Kuvend Projektligji për Transformimin e FSK-së, do të jepte dorëheqje.

Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Presidentit, nëse ai është tërhequr nga nisma e tij për ushtrinë, dhe a do ta ofrojë dorëheqjen pas deklaratave të ‘zbutura’ të tij, por nuk ka dhënë përgjigje.

Pavarësisht dallimeve të mëdha mes presidentit dhe opozitës, kjo e fundit i dha mbështetje për nismën e tij për themelimin e ushtrisë me ligj, ndonëse kishin disa vërejtje.

Premtimi për dorëheqjen e tij, nga opozita shihej si e pamundshme, dhe më shumë si deklaratë politike.

Tash nisma e presidentit nuk dihet se si do të përfundojë, pas turit të fundit të presidentit Hashim Thaçi, për ta bindur Listën Serbe për votimin e ndryshimeve kushtetuese për themelimin e ushtrisë./Insajderi.com