fbpx

Zëdhënësi i Metës i kundërpërgjigjet Ramës për rastin e Gent Cakajt

Zëdhënësi i Metës i kundërpërgjigjet Ramës për rastin e Gent Cakajt

Kundërpërgjigjen për reagimin e fundit ku e quajti presidentin “pengmarrës të Kushtetutës”, kryeministri Edi Rama e ka marrë nga zëdhënësi i kreut të shtetit Ilir Meta.

Tedi Blushi shkruan në një status në Facebook se presidenti i ka të gjitha kompetencat kushtetuese për emërim dhe shkarkim ministrash. Ai thotë se në fakt është kryeministri Rama që ka marrë peng reformën në drejtësi.

“Nuk ka komision garancish statutore që ndalon Presidentin e Republikës të ushtrojë kompetencat e tij të qarta kushtetuese për emërim e shkarkim ministrash. Duhet të jetë e qartë për pengmarrësin e Reformës në Drejtesi: Aksioni për rivendosjen e plotë të rendit kushtetues e ligjshmërisë nuk ndalet!,”-përfundon Blushi në Facebook.

E gjithë përplasja në distancë mes kryeministrit dhe presidentit Meta nisi pasi ky i fundit nuk dekretoi kandidatin e propozuar nga Rama, Genti Cakajn për ministër të Punëve të Jashtme.

Por pse erdhi reagimi i zëdhënësit të Metës? Ka të bëjë pikërisht me këtë status të kryeministrit ku ai përmend se zgjidhja e gjithë ngërçit do të vijë nga Gjykata e re Kushtetuese. “Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet,”-ka shkruar Rama më herët në Twitter.