Zëdhënësja e PSD-së: Vjosa Osmani tash s‘po ndalet, qetësohu motër

Zëdhënësja e PSD-së: Vjosa Osmani tash s‘po ndalet, qetësohu motër

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi ka komentuar sot seancën e Kuvendit të Kosovës, e thirrur kjo nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për gjendjen e krijuar në vend nga pandemia COVID-19.

Ndonëse më së paku u diskutua për këtë problem, një përplasje në mes Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj mori vëmendjen e të gjithëve, shkruan Gazeta Insajderi.

Me qenë se kryetarja Osmani ia ndaloi fjalimin deputetit Selmani, zëdhënësja e PSD-së, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka shkruar se Vjosa Osmani s’po din të ndalet me të bërtitura.

“Vjosa Osmanit i ka dheze e bertitura ne seancen per rrezimin e Qeverise, tash s‘po ndalet. Qetesohu moter, se politika nuk eshte per njerez emocional!”, ka shkruar Kuçi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka ndaluar fjalën deputetit të Lidhjes Demokratike, Driton Selmanajt, derisa ai po fliste për masat kufizuese lidhur me situatën emergjente në vend.

Selmanaj i tha Osmanit se ajo po i legjitimon sjelljet anti-kushtetuese të Qeverisë së Kosovës.

“Ka ardhur në përfundim se Qeveria ka shkelur Kushtetutën. Po thotë [Kushtetuesja, v.j] se ju keni në dispozicion kaq kohë për të sjell një Ligj të ri, përndryshe kaloni në nenin 56 ku flet për shmangie të të drejtave dhe lirive të njeriut, e që bëhet me rastin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Selmanaj.

“Përpjekja që ju po e bëni, është përpjekje për të legjitimu  sjelljen e kësaj qeverie duke e lënë anash nenin 56 të Kushtetutës së Kosovës…”, u shpreh Selmanaj, para se të ndërpritej nga Osmani.

Ndërkaq, Osmani i tha Selmanajt se ai nuk ka të drejtë të ofendojë askënd.

“Z. deputet, je duke e keqpërdorur të drejten tënde për t’i dezinformuar të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Nuk ke asnjë të drejtë… në radhë të parë, fjalën ta dhashë me fol për çështjen e mocionit; në qoftë se do me fol për çështjen e mocionit fol, nëse fol për një temë tjetër, regjia ia ndalon menjëherë fjalën”, i tha Osmani, Selmanajt. /Insajderi.com