Zeka kërkon nga Inspektorati të mbrojë punëtorët por vet ai nuk u kishte paguar trustin as tatimin gazetarëve

Zeka kërkon nga Inspektorati të mbrojë punëtorët por vet ai nuk u kishte paguar trustin as tatimin gazetarëve

Deputeti Milaim Zeka ka kërkuar që Inspektorati i Punës të mbrojë qytetarët e punësuar në kompani të taksistëve dhe kompani mediale.

Sipas tij, taksistët punojnë 14 orë në ditë dhe kur shkaktojnë ndonjë aksident detyrohen ta paguajnë dënimin, ndërsa siç deklaroi Zeka, shumica e gazetarëve në mediume në Kosovë punojnë pa kontrata.

“Në Kosovë nuk kemi sindikata të punëtorëve por kemi sindikata politike dhe krejt këto bien mbi Inspektoratin e Punës dhe krejt në fund forconi mekanizmin e ndëshkimit. Nuk ecë ky vend përpara nëse një kompani apo punëdhënës nuk ndëshkohet nga Inspektorati i Punës”, ka thënë Zeka.

Por vet ai është i akuzuar për shmangie nga tatimi. 

Administrata Tatimore e Kosovës  ka gjetur se deputeti Milaim Zeka, i ka ikur tatimit të shtetit në vlerën e 81 mijë e 192 euro nga dy bizneset e tij, Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës” dhe “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka” OP.

Në raportin hetimor të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, pretendohet se Milaim Zeka si pronar i biznesit Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, për periudhat 2012-2017, ai i është shmangur tatimit në të ardhurat personale, kontributeve pensionale për pronarin, tatimit të mbajtur në burim për pagat e punëtorëve dhe kontributet pensionale për punëtorë, shkruan Insajderi.

Në emër të Qendrës Mediale “Mozaiku i Kosovës”, Zeka për emisionin “Pa rrotulla” ka marrë mijëra euro nga Televizioni Publik i Kosovës, ku është transmetuar ky emisonin, e cila paguhet nga taksat e qytetarëve.

Mirëpo pavarësisht të hyrave totale prej shumës 536 mijë e 197 eurosh që ka pasur Qendra Mediale “Mozaiku i Kosovës”, nga viti 2012 deri në vitin 2017 ai nuk ka paguar tatimin në vlerë, ai i kishte deklaruar vetëm 11,400 euro në vitin 2012.

Me këtë qarkullim që ka pasur, ATK-ja pretendon se janë bërë shmangie tatimore vjetore për secilin nga 6 vitet e kaluara.

Vetëm nga “Moziaku i Kosovës”, Zeka ka shmangie tatimore në vlerën 70 mijë e 472 euro e 66 centë, shkruan Insajderi.

Raporti konstaton se deputeti Zeka nuk ka paguar tatimet punëtorëve e as trustin pensional.

Në raport thuhet se shmangia nga “kontributet Pensionale për Punëtor për vitet 2012, 2013, 2014, 2015, 2016 dhe 2017 ishte në vlerë prej: 11 mijë, 054 euro”. Kurse, shmangia nga tatimet në Burim për paga të punëtorëve ishte në vlerë prej 7 mijë e 55 euro, shkruan Insajderi.

Përgjithë këto vite Zeka i ka ikur Tatimit në të ardhura personale në vlerën e 38 mijë e 562 euro.

Ai nuk ka paguar as kontributin pensionale në emër të pronarit, në vlerën e 13 mijë e 800 euro.