Zemaj: I vizitova së afërmi pacientët, po e marrin trajtimin e duhur

Zemaj: I vizitova së afërmi pacientët, po e marrin trajtimin e duhur

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku po trajtohen 15 pacientë të lënduar nga shpërthimi i fuqishëm që ka ndodhur sot në një lokal pranë një qendre tregtare në Ferizaj, njofton Insajderi.

Zemaj pas prononcimit për media ka thënë se ky është rast i rëndë, por pacientët në QKUK po e marrin trajtimin e duhur profesional.

Tutje ai ka thënë se apo është informuar për ngjarjen ka shkuar në QKUK për ta parë nga afër gjendjen e pacienteve.

“Unë bashkë këtu me mjekët e nderuar, profesionistët shëndetësorë që më treguan për gjendjen e pacientëve pas shpërthimit në Ferizaj. Erdha të shoh së afërmi trajtimin e tyre, të gjithë janë në jetë për fat të mirë dhe po e marrin trajtimin e duhur në bazë të kapaciteteve të QKUK-së”.

Më pas Zemaj ka thënë se është i kënaqur nga shërbimi që u është ofruar të lënduarve nga stafi i QKUK.

“Ne vizituam edhe fizikisht, i pamë së afërmi, janë duke u trajtuar, vlen të theksohet koordinimi i mirë mes spitalit të Ferizajt dhe QKUK-së tregon profesionalizmin e profesionistëve tanë shëndetësorë. Dua t’iu uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve dhe familjarëve sa më pak shqetësim sepse të lënduarit janë në duar të sigurta”.

Nga gjithsej 43 të lënduar nga ky shpërthim, 15 prej tyre aktualisht janë në QKUK, 5 prej tyre i janë nënshtruar operimit ndërsa 4 janë në pritje./Insajderi.com