Zemaj me tri kërkesa pas miratimit në parim të buxhetit 2021

Zemaj me tri kërkesa pas miratimit në parim të buxhetit 2021

Pas kalimit të projektligjit për buxhetin 2021, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka adresuar tri kërkesa të arsyeshme për përkrahje shtesë buxhetore për furnizim me barna, njofton Insajderi.

Me anë të një postimi në Facebook, Zemaj ka shkruar se përkundër shtimit të numrit të profesionistëve shëndetësorë, ky sektor vazhdon të përballet me mungesa të konsiderueshme ‘me të cilën duhet vazhduar rritja e numrit qoftë edhe për përballjen me COVID-19’.

“Avancimi profesional i mjekëve të rinj, të cilët në këtë vit iu mundësua të kyçen në sistemin shëndetësor përmes shkollimit specialistik, MSh dhe Qeveria ofroi mundësi pagese për më shumë se 80% të të pranuarave, ndërsa nevoja për përkrahje buxhetore konsiston edhe arsyeshmërinë që të rritet buxheti edhe për 270 specializantë të cilët janë bërë pjesë e shkollimit specialistik me vetëfinancim. Duke pasur parasysh se kushtet ekonomike, por edhe nevojën për më shumë specialistë të fushave të ndryshme, kërkojmë që të përkrahet propozimi për buxhet shtesë për këta mjekë të rinj”, ka shkruar Zemaj.

Ai tutje thotë se beson që Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe ai për Buxhet dhe Transfere do të përkrahin këto kërkesa, teksa fjalën përfundimtare e kanë deputetët e Kuvendit, të cilët kanë shfaqur përkrahje për rritjen e numrit të profesionistëve shëndetësorë si dhe mundësi më të mira për të vazhduar mjekët e rinj shkollimin dhe avancimet profesionale. /Insajderi.com