Zemaj paralajmëron masa të reja nëse do Të shtohet numri i rasteve me Covid-19

Zemaj paralajmëron masa të reja nëse do Të shtohet numri i rasteve me Covid-19

Kosova vazhdon të përballet me pandeminë me Coronavirus, duke shënuar njërën nga shifrat më të larta ditore që prej shpërthimit të epidemisë në mesin e muajit mars, njofton Insajderi.

Vetëm në 24 orët e fundit në nivel vendi nga 1.374 mostra të marra nga ShSKUK rezultojnë 486 raste pozitive dhe nëntë viktima.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka kërkuar një kujdes të shtuar për respektimin e masave antiCOVID-19, derisa ka kritikuar veprimin e qytetarëve që janë mbledhur masivisht me fëmijët sidomos natën e Halloëeen-it në kohë pandemie.

Ai në emisionin Debat Plus ka thënë se “duhet të jemi të kujdesshëm kur kemi rritje të infeksione në 10 ditët e fundit, pas një ulje paraprake. Ky dyjavor na ka vendosur në një situatë tjetër, për shkak të të cilit kemi marrë masa të reja. Sa i përket asaj se a është vala e parë apo e dytë, duhet të them se kemi të bëjmë me një virus të fshehtë, i cili nuk është lehtë i përballueshëm në raport me jetesën dhe trajtimin e këtij virusi”.

“Duhet të jemi në gjendje të gjithë të ruajmë veten dhe njëri-tjetrin. Ndaj virusit askush nuk është imun nëse vëmendja dhe kujdesi nuk do të jetë i shtuar. Situatën duhet ta kthejmë situatën në kontroll të plotë, por do të ketë masa të reja nëse do të ketë rritje të infeksioneve”.

Ndërkohë që Prishtina ka pasur rritje të rasteve të reja në ditët e fundit, ministri Zemaj tha se mund të merren masa selektive në segmente të caktuara, duke mos dhënë më shumë detaje.

Ndryshe, numri total i rasteve me Coronavirus në Kosovë është 20.655, prej tyre 15.641 të shëruar, numri i rasteve aktive është 4.317, ndërsa betejën me Coronavirus e kanë humbur 697 persona./Insajderi.com