Zemaj: Për momentin s’besojmë që do të lëvizim shpejt në lirimin e masave

Zemaj: Për momentin s’besojmë që do të lëvizim shpejt në lirimin e masave

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, thotë se për momentin nuk beson që do të ecet shpejt me lirimin e masave, transmeton Insajderi.

Kështu është shorehur ai për EO, ku tutje tha se situata me pandeminë është menaxhuar në mënyrë efikase dhe mund të konsiderohet e qetë, ani pse ka kërkuar që të vazhdohet me disiplinë.

Zemaj tha se në zonën e kuqe janë Prishtina dhe Fushë-Kosova, mirëpo me këto kufizime po pretendojnë që ta mbajnë stabil gjendjen, numrin e infeksioneve dhe numrin e rasteve të hospitalizura.

“E kemi një situatë të qetë pandemike. Shqetësimi ka qenë për rastet e reja të cilat kanë rezultuar me Covid-19, por edhe infeksioni i ri, i cili u paraqit në Britaninë e Madhe. Kështu që në një analizë të saktë, po kërkojmë që të vazhdohet me disiplinë”, ka thënë ai.

“Eventualisht nëse krijohen kushte dhe rrethana që mund të ecim me një lirim te këto zona që kemi përcaktuar edhe efekti i tyre u pa që ka rezultate të dukshme pasi kemi vetëm dy komuna në zonën e kuqe. Pothuajse shumica e aktiviteteve ekonomike janë të lejuara. Me këto kufizime po pretendojmë që ta mbajmë stabile gjendjen, numrin e infeksioneve dhe numrin e rasteve spitalore. Për momentin nuk besojmë që do të lëvizim shpejt me lirim të masave”, është shprehur tutje Zemaj.

I pari në detyrë i Shëndetësisë shtoi se jo vetëm për qytetarë, por ka pasur gjoba edhe për partitë politike, andaj ai thotë se duhet të zgjerohet mbikëqyrja në të gjitha qendrat.

“Po të njëjtë janë qytetarët edhe partitë politike edhe aktivistë. Edhe qytetarët që nuk janë pjesë e subjekteve politike ne duhet të kemi kujdes madje kemi bërë thirrje që të shtohet kujdesi. Ka pasur gjoba edhe për subjekte politike dhe mendoj që duhet të zgjerohet mbikëqyrja jo vetëm në qendra të caktuara inspektorati sanitar, Policia e Kosovës dhe të gjithë të tjerët duhet të jenë më proaktiv dhe të shohin kalendarin zgjedhjeve që partitë politike duhet të paraqesin qoftë në polici dhe përmes tyre ta mbikëqyrin mbarëvajtjen e procesit, por aktiviteteve”, ka përfunduar Zemaj. /Insajderi.com