Zemaj: Sigurimi pa pagesë i vaksinës anti-Covid, obligim ligjor

Zemaj: Sigurimi pa pagesë i vaksinës anti-Covid, obligim ligjor

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se është obligim ligjor të sigurohet vaksina anti-COVID pa pagesë për qytetarët.

Sipas tij, një pjesë prej 20 për qind është siguruar falas, ndërsa pjesa tjetër duhet të blihet nga shteti.

“E kemi obligim ligjor që ta sigurojmë pa pagesë. Duhet të sigurohet pjesa e konsiderueshme nga buxheti i shtetit. Kryeministri Hoti është duke u kujdesur që të na ndihmojë në këtë proces në komunikim me vendet e BE-së, por kemi edhe aktivitete të brendshme që t’i zhvillojmë si ministri e Shëndetësisë, qoftë me OBSH-në dhe me partnerë tjerë për sigurimin e vaksinës. Një pjesë 20 për qind është e siguruar falas dhe pjesa tjetër duhet të blihet”, ka thënë Zemaj për Ekonomia Online.

Ai po ashtu ka thënë se duhet të bëhet sigurimi i kostos, që të fillohet sa më shpejt me ndërtimin e spitalit anti-COVID.

“Procedurat janë ligjore pavarësisht situatës në të cilën po kalojmë. Në momentin kur plotësohen kushtet edhe ato që kanë të bëjnë me infrastrukturën me ligjet në fuqi, procedurat tenderuese unë do të japë përkrahje ashtu siç i kam dhënë këtij procesi. Orientimi ynë është që të fillojmë sa më shpejt, duhet të bëhet sigurimi edhe i kostos dhe shumë shpejt besoj do të fillojmë edhe me këtë proces”, ka shtuar Zemaj.

Ai tha se aktualisht ka shtretër të mjaftueshëm, duke shtuar se ka edhe klinika rezervë në rast të rritjes së numrit të infektuarve.

Madje, i pari i Shëndetësisë shtoi se janë të furnizuar mjaftueshëm edhe me barna nga donacione të ndryshme.

Sipas Zemajt, ka teste të përdorimit antigjen rapide, dhe do të shihet mundësia e përdorimit të tyre sipas nevojës së qytetarëve.

“Ka teste të përdorimit antigjen rapide. Sigurisht në bazë të nevojave do të shohim ku mund të përdoren dhe si mund të përdoren dhe sa mund të ndihmojnë. E mira e kësaj është që komunat mund të fillojnë këtë aktivitet i kanë kapacitet në QKMF dhe mund të kenë prioritet të testimeve të shpejta”.

Ai ka thënë po ashtu se prioritet e ka pasur edhe mbajtjen e të gjithë të rinjve në Kosovës. Ai ka thënë se shkaku i neglizhencës së institucioneve shumë mjek janë larguar nga vendi viteve të fundit, pasi nuk i është ofruar mundësia qoftë e specializimeve apo e studimeve bazike apo edhe avancimeve profesionale në Kosovë./Insajderi.com