Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas shpërthimit të sotëm në Ferizaj, ku janë lënduar 42 persona, pas QKUK-së ka vizituar të lënduarit në Spitalin e Ferizajt, njofton Insajderi.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Spitali i Ferizajt, emergjenca e qytetit, policia, zjarrfikësit dhe qytetarët, kanë dëshmuar nivel të lartë të përkujdesjes ndaj dhjetëra të plagosurve pas eksplodimit të gazit në Ferizaj.
“Ky trajtim në Spitalin e Ferizajt dhe në Qendrën Emergjente në QKUK, ndaj qytetarëve të lënduar deri më tani është në nivelin maksimal”, ka shkruar Zemaj.
“Së bashku me kryetarin z. Agim Aliun, zv. ministrin z. Muharrem Sfarqa dhe deputeten znj. Saranda Musliu, kemi diskutuar për të gjitha mundësitë e përkujdesjes shëndetësore që gjendja e secilit qytetar të jetë në nivelin e duhur dhe të bëjmë çmos që të mos rrezikohet jeta e asnjë qytetari të lënduar sot në Ferizaj”, tha ai.
Zemaj tha se do të jenë pranë të gjithë pacientëve të lënduar, duke iu uruar shërim të shpejtë./Insajderi.com