Zëvendësi i Kurtit për dialogun: Jemi në limit të kohës

Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka ritheksuar edhe një herë se dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës.

“Ne, si Qeveri me legjitimitet të plotë qytetarë, do të jemi pjesë e zgjidhjes (të mirë) për vendin”, ka shkruar Hoti në një shkrim të tij në Facebook, transmeton Insajderi.

Hoti madje thotë se “pengesat e vetë shkaktuara që na përjashtojnë nga ky proces nuk na ndihmojnë, përkundrazi”.

“Jemi në limit të kohës që të bëhemi pjesë e mbrojtjes dhe avancimit të sovranitetit të vendi tonë”.

Zëvendësi i Kurtit thotë se i gjithë ky proces do të jetë sfidues.

“Para nesh kemi një proces sfidues të arritjes së Marrëveshjes së Paqes me Serbinë, që si konkluzion ka njohjen reciproke, siç edhe shprehet Sekretari Pompeo në letrën e fundit për Qeverinë e Kosovës”.

“Ballafaqimi me këtë proces është domosdoshmëri e jona, por edhe kërkesë e miqve tanë që na kanë përkrahur për 30 vite rresht, nga kërcënimet e Kërshëndellave e deri tek bombardimet e NATO-s e shpallja e pavarësisë”./Insajderi.com