Zëvendëskryeministri: S’fajësohet qeveria për krimet e nëpunësve

Ndonjë punëtor administrate mund të qëllojë hajn, por për këtë s’i ka fajet qeveria. Kështu mendon Driton Selmanaj, i cili shkroi se ata që kërkojnë dorëheqjen e Hykmete Bajramit, në fakt kërkojnë dorëzim para krimit.

Zëvendëskryeministri: S’fajësohet qeveria për krimet e nëpunësve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se veç kush nuk ka haber fare për punët e shtetit do të fajësonte qeverinë për krimet që ka mundur të bëjë ndonjë nëpunës administrate, njofton Insajderi.

“Kushdo që e bën fajtore Qeverinë për krimet e kryera nga ndonjë nëpunës nëpër institucione, nuk ka njohuri themelore për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

Në këtë logjikë, sipas Selmanajt, s’kanë kuptim as thirrjet për shkarkimin e ministres aktuale të Financave.

“Kushdo që kërkon dorëheqjen e ministres Hykmete Bajrami, bën thirrje për dorëzim para krimit të organizuar, mashtruesve dhe keqpërdoruesve të parasë dhe pasurisë publike”.

Ai ka siguruar se “Qeveria Hoti është tepër e vendosur në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Beteja e tillë nuk është e lehtë, por kërkon mobilizim dhe bashkëpunim të madh ndër-institucional. Mbështetja shoqërore e kësaj beteje, garanton çlirim më të shpejt dhe fuqizim të shtetit të së drejtës”./Insajderi.com